MPB: Sistemi i hyrje-daljeve të BE-së me zbatim të plotë në zonën Schengen

16:46 | 10 Prill 2026
R J

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se sistemi i hyrje – daljeve i Bashkimit Evropian nga sot do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të zonës Schengen për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si: gjurmët e gishtërinjve; fotografia e fytyrës dhe të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Nga sot ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.