Mospajtime në koalicionin qeveritar

08:11 | 28 Qershor 2018

Tashmë po vërehen edhe çarjet e para të koalicionit gjigant të Qeverisë Haradinaj.

Bëhet fjalë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate që janë përplasur ditën e martë në mbledhjen e qeverisë, shkruan portali arbresh.info.

Përplasje verbale ka pasur mes Fatmir Limajt, Skënder Reçicës dhe Uran Ismajlit e Besim Beqajt, rreth një dokumenti për rregullimin e fushës së Marrëdhënies së Punës.

Ndërsa, shefi i Qeverisë së Kosovës, i pyetur rreth këtyre tensioneve në mes dy partnerëve qeveritar, ka cituar një proverb popullor ku ka thënë se “mos hi ndërmjet tyre, ata duhen ma shumë se të tjerët në Qeveri”.

Ndonëse po vërehen dukshëm tensione mes këtyre dy partive, anëtarë të tyre thonë se raportet mes PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate janë të mira dhe nuk ka hapësirë për ndonjë përçarje serioze që mund të çojë deri tek prishja e koalicionit.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, thotë se mospajtime në ide mund të ketë edhe brenda partive duke hedhur poshtë zërat për tensione të mëdha.

“Sa i përket ideve të ndryshmeve mundet me pas edhe brenda subjektit ide të ndryshme kështu që konsideroj që koalicioni po funksionon. Në momentin që nuk funksionon atëherë do të kuptohet. Ne si subjekt politik jemi partia më e madhe në koalicion dhe jemi shumë të interesum që kjo qeveri me dërgu mandatin deri në fund me i përfundu të gjitha obligimet që i ka marrë ne raport me interesat e vendit”, është shprehur Beqa për arbresh.info.

Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate mohon të ketë ndonjë përçarje, por nuk e hedh poshtë mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja sepse siç thotë janë të gatshëm të hyn në zgjedhje.

Ne kemi qasje tjetër dhe PDK ka tjetër. Unë nuk e shoh shumë tragjike atë përplasje me fjalë që ka ndodhur në qeveri. Thjeshtë PDK mund ta ketë një qasje tjetër, fund të fundit  ne jemi subjekte me programe të ndryshme politike. Nisma është parti e qendrës majtë PDK e djathtë. E mund për një rast të caktuar që të mos përputhën. Përplasja e djeshme nuk mundet me kon e nivelit që më dërgu në pikëpyetje funksionalizimin e qeverisë. Kosova ka probleme më të mëdha, është fati i Kosovës të cilën Hashim Thaçi e ka privatizu në Bruksel e çështje të këtij niveli, e jo një kërkesë e ministrit Reçica”, tha Berisha./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara