Monumenti më me vlerë në Vushtrri, në prag të rrënimit?

16:37 | 3 Prill 2016
M. A.

Objekti i Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, përveç gjendjes së rëndë me të cilën përballet për shkak të infrastrukturës të vjetër, tash e tri vite ka mbetur pa shkallë dhe me themele të rrezikuara nga gërmimet e një kompanie private, e cila kishte filluar ndërtimin e një objekti afarist në afërsi të saj.

Opozitarët e kësaj komune i kanë akuzuar pushtetarët se po kontrabandojnë me këtë objekt, duke e lënë atë qëllimisht pa shkallë e me themele të rrrezikuara. E nga komuna, lidhur me këtë thonë për KosovaPress se është duke u shqyrtuar propozim vendimi për rrënimin apo rinovimin e këtij objekti, prandaj edhe nuk është ndërmarrur asgjë deri më tani.

Ky propozim vendim për rrënimin apo rinovimin e Shtëpisë së Kulturës nuk ka kaluar akoma në Kuvendin Komunal, sepse kur ishte paraqitur në Komitetin për Politikë e Financa, ishte kundërshtuar nga asamblistët opozitarë në këtë komunë, të cilën synonin të ndalonin procedimin e më tej të këtij ligji.

Përderisa nga opozita thonë se kanë ndalur procedimin, përfaqësues nga Komuna e Vushtrrisë thonë se ky propozim vendim tani është në fazën e parafundit para se të kalojë në Kuvendin Komunal.

Sipas tyre, tani janë duke marrë mendimet e shoqërisë civile, si artistë, historianë e qytetarë, për të parë qëndrimin e tyre lidhur me këtë objekt.

Sheremet Halili nga qendra e Vetëvendosjes në Vushtrri pohon për KosovaPress se Shtëpia e Kulturës vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë.

Ai thotë se pushtetarëve nuk u mjaftojë kjo gjendje e rëndë e saj, por ata e lanë atë pa shkallë, si dhe rrezikuan themelet e saj, ku sipas tij, për qëllime personale kanë tentuar që të kontrabandojnë duke e rrënuar atë.

Sipas Halilit për rinovimin e saj nevojitet një investim i vogël, përderisa e quan absurde iden errënimin të saj, që sipas tij paraqet një ndër monumentet më me vlerë në këtë komunë.

Se ky objekt është në gjendje të rëndë, e thotë edhe vetë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili për KosovaPress tregon se rinovimi i fundit në këtë shtëpi është bërë në vitin 2009, gjë që ka bërë që ajo të mbetet funksionale edhe në një gjendje të tillë.

KosovaPress ka siguruar raportin që është bërë nga Kompania “IBMS”, në të cilin është bërë vlerësimi i stabilitetit të strukturës së këtij objekti. Edhe pse në disa pika të këtij vlerësimi thuhet se në objekt nuk vërehen plasaritje apo dëmtime të mëdha, propozimi final ka qenë ndërtimi i një objekti të ri, i cili sipas tyre i përmbush kërkesat statike dhe funksionale të projektimit. Por, nëse është në interes të komunës të ruhet objekti për shkak të trashëgimisë kulturore, atëherë edhe rinovimi i tij është i mundur thuhet në raportin vlerësues të kësaj kompanie.

E propozim vendimi për rrënimin e objektit të Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, thuhet se është bazuar në të gjeturat e këtij raporti. Në propozim vendim e siguruar nga KosovaPress thuhet se rrënimi dhe ndërtimi i një objekti të ri kap vlerën e 1 milionë e 800 mijë euro, të cilat komuna e Vushtrrisë nuk i posedon.

Nga Qendra e Vetëvendosjes në Vushtrri kanë ngritur dyshimet edhe për keqpërdorim të pronës publike. Duke folur për hapësirën përreth Shtëpisë së Kulturës, Sheremet Halili tha për KosovaPress se ajo po keqpërdoret nga një auto parking, një pjesë e së cilit është pronë e komunës.

Lidhur me këtë ka reaguar drejtori për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në këtë komunë, Bedri Dobra, i cili për KosovaPress thotë se në anën e parkingut, mund të jenë vetëm gjysëm metër pronë publike, jo më shumë.

Sipas tij, sipërfaqja totale e Shtëpisë së Kulturës arrin deri në 33 ari e 13 metra katrorë, ku përfshihet edhe oborri që gjendet prapa objektit, ndërsa hapësirën në fjalë, që arrin deri në 865 metra katrorë, Dobra thotë se pronari e ka blerë nga ATK – ja.

Ndërsa lidhur me dyshimin për keqpërdorim të pronës publike, kryetari i komunës Bajram Mulaku thotë se në atë pjesa afër Shtëpisë së Kulturës që po shfrytëzohet për parking, shumica absolute është private, ndërsa, sipas tij vetëm dy – tre ari janë pronë publike.

Kryetari pranon të ketë parë se nga gërmimet kanë dalë në shesh themelet e shtëpisë së kulturës, por sipas tij, kjo nuk ka rrezikuar stabilimentin e objektit.

Në rast të ndërtimit të objektit të ri, Dobra nuk e ka përjashtuar mundësinë për koncension publiko – privat, duke thënë se një gjë e tillë do të dihet pasi të merret vendimi.

Këtë mundësi nuk e përjashton as kryetari i komunës Bajram Mulaku, i cili për KosovaPress thotë se në qoftëse se Kuvendi e vlerëson që duhet dhënë në shfrytëzim ata tokë për ndërtimin eobjektit të ri, atë do ta bëjnë. Por, sipas tij të gjitha varen nga vendimet që do të merrën në Kuvendin Komunal.

Kjo gjë është e cekur edhe propozim vendimin për rrënimin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, ku me miratimin e këtij vendimi, lejohet dhënia në shfrytëzim në bazë të ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së pa luajtshme të komunës, ku thuhet se komuna do të paraqes kushtet si në aspektin e ndërtimit, po ashtu edhe në aspektin financiar se si duhet të jetë ky objekt në rastin e trajtimit.

Mulaku më tej tha se nga Ministria e Kulturës i është premtuar që vitin e ardhshëm do të ndajnë një shumë prej 350 mijë euro për këtë objekt.

I pyetur për afërsinë me pronarin që ka privatizuar atë pjesë të tokës, Mulaku nuk e ka mohuar atë, por sipas tij, pronari tokën e ka blerë nga ATK – ja, jo nga komuna. Ai thotë se asgjë nuk është jashtë ligjore dhe nuk do të zhvillohet asnjë projekt, pa u marrë një vendim përfundimtar nga Kuvendi Komunal.

Sipas komunës edhe nëse merret vendim për objekt të ri, ai do të ndërtohet në vendin e njëjtë.

Por, përveç kushteve të rënda në infrastrukturë, që nga korriku i vitit 2014, Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina”, ka mbetur pa shkallë hyrëse, për t’i lëshuar rrugën ndërtimit të sheshit të qytetit, dhe që nga atëherë në atë objekt shfrytëzojnë hyrjen në pjesën mbrapa. Sipas Kryetarit të kësaj komune dhe drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, largimi i shkallëve ka qenë i nevojshëm sepse ato kanë qenë të vendosura pjerrtazi dhe kanë pasur 15 metra deri në rrugë. Ata thanë se po presin vendimin për Shtëpinë e Kulturës, dhe nëse vendoset të bëhet rinovimi, atëherë ata kanë paraparë edhe shkallët, të cilat do të vendosen anash në mënyrë që hapësira në rrugë të mbetet më e gjerë

KosovaPress ka kontaktuar edhe drejtorin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, Enver Dubovci, i cili lidhur me mungesën e shkallëve kah hyrja kryesore tha se pavarësisht vështirësive, puna po vazhdon, ku janë duke u angazhuar me shfaqje dhe aktivitete të ndryshme.

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/monumenti-me-me-vlere-ne-vushtrri-ne-prag-te-rrenimit-68895/#sthash.BdoyCVQP.dpuf

Shpërndaje në rrjete sociale