Mogherini bisedon me Vuçiq-in: Tarifa duhet të largohet, bisedimet duhet të vazhdojnë

09:17 | 7 Shkurt 2019
M. A.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini si dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq kanë zhvilluar së fundi një bisedë telefonike, ku kanë diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti për raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ishte pikërisht Mogherini e cila tha se ka biseduar me presidentin serb, Vuçiq, për zhvillimin e dialogut.

“Bisedova me presidentin Vuçiq për rrugën përpara rreth dialogut. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme për normalizimin e gjitha çështjeve të hapura është urgjente dhe thelbësore për Kosovën dhe Serbinë, për përparimin drejt BE-së, stabilitetin dhe paqen në rajon. Tarifa duhet të largohet, bisedimet duhet të vazhdojnë” ka shkruar Mogherini në Twitter, transmeton Indeksonline.

Ndryshe është pikërisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili deklaroi haptazi se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas tërheqjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe e cila u vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Përpos kësaj, ai përmendi edhe një kusht tjetër e që ka të bëjë pikërisht me Trepçën.

“Dialogu mund të vazhdojë vetëm pas tërheqjes së taksës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës dhe ndaljes së provokimeve siç është miratimi i Statutit të Trepçës”, thuhet të ketë deklaruar Vuçiq.

Tutje Vuçiq ka shtuar se masat e tilla të vendosura nga e Prishtinës dëmtojnë stabilitetin e gjithë rajonit.

Në bisedë u theksua se Serbia është e përkushtuar për zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën evropiane, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale