Miratohet faza e re për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

15:04 | 29 Nëntor 2025
E.K

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në Asamblenë e Jashtëzakonshme të ICMG (Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare) është miratuar prezantimi i propozimit dhe vazhdimi i përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Rama e cilësoi këtë vendim si një hap të madh për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën, duke thënë se Prishtina “po ecën me siguri drejt vitit 2030, me vizion të qartë, plan konkret dhe energjinë e një gjenerate që beson se mund të bëjë histori”.

Sipas tij, Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë shumë më tepër se sport:
“Janë zhvillim urban, infrastrukturë moderne, mundësi për të rinjtë dhe një dritare e rëndësishme për ta prezantuar Prishtinën në botë”, shkroi Rama.

Kryetari i Prishtinës falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës, Administratën e Kryeqytetit dhe Qeverinë e Kosovës për angazhimin e tyre në këtë proces. Ai shprehu mirënjohje edhe për Qeverinë e Shqipërisë dhe Komitetin Olimpik të Shqipërisë për bashkëpunimin, duke theksuar se falë tyre Prishtinës i është mundësuar qasja në det — një element kyç për dimensionin mesdhetar të Lojërave./Arbresh.info