Në kuadër të dialogut mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), janë dakorduar konkluzionet e “Takimit të Nën-komitetit për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport” për vitin 2023 dhe tutje.
Temat e reformave të mbuluara nga ky takim janë relevante direkt për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës duke përfshirë infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve, thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.
Kosova dhe KE janë dakorduar që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni duhet të përafrohen me parimet dhe prioritetet e BE-së, respektivisht me iniciativën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, më qëllim sigurimin e koherencës ndërmjet dokumenteve në secilin sektor.
“Sa i përket energjisë, KE ka vlerësuar lart miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, si dokument kyç për ofrimin e bazës për dekarbonizim duke ruajtur sigurinë energjetike, sigurimin e furnizimit të përballueshëm, dhe duke zgjeruar zhvillimin e burimeve alternative të energjisë. Kosova ka zbatuar me sukses Pakon për Mbështetje të Energjisë, dhe pritet që të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë zbatimin e masave nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, më qëllim përmirësimin e efikasitetit të energjisë për familjet dhe sektorin privat. Gjithashtu, pritet që një numër ligjesh dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në njoftim.
Më tej, në fushën e mjedisit, KE ka vlerësuar pozitivisht progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Kosova duhet që t’i forcojë kapacitetet dhe përpjekjet institucionale për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera.
Sa i përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka shënuar progres duke e miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.
“Në fushën e transportit, Kosova ka pjesëmarrje pro-aktive në Komunitetin e Transportit. Megjithatë, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në rritjen e sigurisë rrugore dhe të sigurojë një tranzicion më të shpejtë drejt transportit të qëndrueshëm, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha qytetet e Kosovës. KE dhe Kosova janë dakorduar për nevojën e vazhdimit të reformave legjislative dhe institucionale, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit. Në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza në kuadër të së cilës BE-ja dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe ato të politikave në lidhje me reformat e lidhura me BE-në. Organet e MSA-së janë Këshilli i Stabilizim-Asocimit, ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim-Asocimit, si dhe Nën-Komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian./Arbresh.info/
AGK-ja nderohet me mirënjohje nga Policia e Kosovës
Bisedime Ukrainë-Rusi në Abu Dabi, teksa Moska kryen sulme t...
Aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë për punëtorin që vdiq 7...
PDK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!” dhe nis mobili...
Virusi “Nipah” alarmon botën, Naser Ramadani tregon a rrezik...
Drejtori i Policisë: Pronarët e salloneve të veturave janë t...