Ministri Muja merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë në Paris

12:25 | 24 Shkurt 2026
Q L

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, po qëndron për një vizitë zyrtare në Paris, Francë, ku është duke marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë SIA 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, inovacionit agroushqimor dhe zhvillimit rural.

Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit në Paris, ministri Muja do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare të panairit, si dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve homologe, organizatave ndërkombëtare dhe aktorëve të sektorit bujqësor, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe promovimin e potencialit bujqësor dhe rural të vendit tonë.

“Gjithashtu, gjatë pjesëmarrjes në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë SIA 2026, Ministri Muja po njoftohet nga afër me teknologjitë dhe makineritë më të reja punuese në sektorin e bujqësisë, si dhe me inovacionet që ndërlidhen me sektorët përkatës të agroindustrisë dhe zhvillimit rural”, thuhet në njoftim.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e diplomacisë ekonomike dhe në zgjerimin e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Të ngjashme