Mesazh i ri kundër Gjykatës Speciale: 5000 emblema të UÇK-së i vendosen NEWBORN-it në Ditën e Pavarësisë

09:31 | 17 Shkurt 2026
E.G

Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Sipas njoftimit, pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes atij iu vendosën edhe 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

Aktivistët e platformës “Liria ka emër”, të cilët mbrëmë e rrethuan monumentin me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh burgu, sot e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së.

Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka emër”, mbrëmë ka thënë se ky reagim qytetar është ndaj padrejtësisë së Gjykatës Speciale, që e konsiderojnë tendencë për rishkrimin e historisë dhe cenim i luftës për liri dhe i themeleve të shtetit tonë.

NEWBORN-i, simboli i 17 shkurtit dhe i lindjes së Republikës sonë, siç ka thënë ajo, është përfshirë në aktivitetet e tyre për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët dhe Kosova po e përjetojnë përballë proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kosova sot feston 18 vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që të paraburgosur në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, ish-presidenti dhe kryeministri që lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe udhëhoqi procesin e shtetndërtimit, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, që të katërtit figura kyçe të rezistencës, lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme