Mërgimtarët nderojnë familjen Jashari

20:14 | 1 Gusht 2015
M. A.

Sot gjatë tërë ditës shumë bashkatdhetarët dhe qytetarë të tjerë të Kosovës, i janë përgjigjur ftesës së Ministrisë së Diasporës, për të nderuara familjen Jashari, e cila është pjesë e përfundimit të aktiviteteve të Muajit të Diasporës.

Homazhet tek familja Jashari, e cila tashmë është bërë pjesë tradicionale e aktiviteteve të Muajit të Diasporës, ka për qëllim për ta nderuar sakrificën e madhe të kësaj familjeje.

Me këtë rast ministri, Valon Murati, tha se ky aktivitet i cili quhet “Një lule për Jasharajt” bëhet në shenjë përkujtimi të një prej ngjarjeve dhe sakrificave më të mëdha që ka ndodhur në funksion të lirisë së popullit dhe të njerëzimit.

E pranishme për të bërë homazhe pranë varreve të Jasharajve, ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, e cila tha se kjo është një nismë e mirë e Ministrisë së Diasporës për të rikthyer diasporën.

Duke i parë si shumë të rëndësishme aktivitet e Ministrisë së Diasporës për vet diasporën, ajo theksoi se në këtë vit aktivitetet për bashkatdhetarët kanë filluar edhe në Kuvendin e Kosovës, ku përfaqësuesit e tyre i kanë pasur dyert e hapura në Kuvend për të kontaktuar drejtpërdrejt me të përzgjedhurit e popullit.

E Blerta Hoti, e cila është nga fshati Polac i Skenderajt, por që është rritur në Suedi dhe tani punon në Bruksel si këshilltare politike e Partisë Social Demokrate të Suedisë në Parlamentin Evropian, thotë se këto homazhe janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Ajo po ashtu potencoi rëndësinë e mërgatës për zhvillimin e mëtutjeshme të Kosovës.

Ndërsa, bashkatdhetarët të cilët sot bën nderime te këto varre, patën mundësi edhe të bëjnë regjistrimin e tyre e cila është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Diasporës për mërgimtarët.

Muaji i diasporës përmbyllet me një aktivitet dy ditor, me homazhet të cilat u bënë sot në Prekaz, për të vazhduar pa staj në po të njëjtin vend me koncertin e Ansamblit “Shota “ dhe të këngëtares së mirënjohur Elina Duni. Dhe aktivitete të tjera që do të bëhen nesër në Prishtinë, me ç’rast aktivitetet do të fillojnë që nga ora 12:00 në Gërmi dhe vazhdojnë pastaj prej orës 16:00 në qendër të qytetit deri në orën 00:00 të natës, me koncerte, aktivitete të ndryshme, ndarje të çmimeve për mërgimtarët etj

Shpërndaje në rrjete sociale