Kohën e fundit qytetarë të shumtë po detyrohen që produktet medicinale qoftë edhe bazike t’i sigurojnë vetë, ngase atë shërbim nuk po mund ta marrin në klinika për shkak të mungesë së disa produkteve. Drejtoresha e Barnatores Qendrore në QKUK mohon të ketë mungesë të disa produkteve esenciale në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme në vend.
Melinda nga Prishtina ka dy ditë që nipin e saj është duke e trajtuar në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo thotë për Radio Kosovën se djali 3 vjeç, po trajtohet nga gripi sezonal që është përhapur në vend, derisa në spital janë detyruar që të blejnë edhe infuzion se nuk kanë pasur.
“Djali është i shtrirë prej gripit me temperaturë, me ethe. Kanillën nuk kanë pasur me çka me ia lidh, ia kanë lidhur me sellotejp d.m.th fllaster nuk kanë pasur e le më diçka tjetër. Edhe infuzionin e të tjerat vetë krejt i kam blerë. Kjo nuk është e vërtetë çka thonë QKUK”, tha ajo.
Lidhur me këtë situatë që është paraqitur kohën e fundit, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur publikisht ankesat e tyre që ka mungesë të tretësirës NaCl 9 % 500 ml dhe disa produkte të tjera, ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Theksojmë̈ se në muajin janar 2025, SHSKUK ka pasur në stok 54 mijë e 610 copë me tretje për infuzion, NaCl 0.9%- 500 mililitra, të cilat në vazhdimësi janë̈ shpërndarë në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme. Po ashtu, ka sasi të mjaftueshme me sisteme të infuzioneve dhe kanillave, ampula deksametazon dhe diklofenak, e që në vazhdimësi shpërndahen në QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme”, thuhet në reagim.
Drejtoresha e Barnatores Qendrore në QKUK, Dardane Mehaj, thotë për Radio Kosovën se është e pamundur që të ketë furnizim 100 për qind të produkteve, por ajo thotë se nuk ka mungesë të atyre produkteve që pretendohet.
“Është bërë një çrregullim i tregut në rastin e hyrjes në fuqi të listës së çmimeve, por ne kemi kontratën aktive dhe kemi porosit edhe sasi shtesë e cila pritet të vijë në këto ditë, dhe diku mbi 80 mijë copë janë sasi që po presim m’u furnizuar në ditët në vijim. Mundohemi m’i furnizua aq sa është në kompetencën tonë. Po kemi probleme të vazhdueshme edhe me furnizim që edhe në kontrata ato janë evidente, nuk i mohojmë, dhe nuk themi që jemi 100 për qind të furnizuar”, theksoi ajo.
Spitali i Përgjithshëm në Gjilan është i furnizuar me tretësirë Nacl 09 për qind 500 ml deri në gjysmën e muajit prill.
Drejtori ekzekutiv i spitalit, dr. Arsim Emini, tha për Radio Kosovën se edhe atë që e kanë, e destinojnë për në Hemodializë, ndërsa përmend produktet e tjera që mungojnë.
“Është një numër i vogël i barnave që na mungojnë, ato që mungojnë janë tretjet fiziologjike 500 ml, me të cilat i kemi furnizuar vetëm Hemodializën, ndërsa repartet e tjera i kemi furnizuar me Ringel laktak që është një infuzion që zëvendëson tretjen fiziologjike, kemi mungesë të glukozës 5 për qind, dikllofenak, tramadoll, gentamicin, morfinë, ampicilin këto janë barnat që na mungojnë. Për hemodializë kemi sasi deri në gjysmën e muajit prill”, theksoi ai.
Ndërkohë, gjendja në spitalet e përgjithshme në Pejë dhe në Prizren është e kënaqshme. Të paktën këtë e thotë zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Naim Sadiku, dhe ai i Spitalit Rajonal në Prizren, Shefair Berisha, të cilët të kontaktuar nga Radio Kosova kanë konfirmuar përmes telefonit se në vazhdimësi furnizohen me tretësirë dhe material tjetër përcjellës nga Barnatorja Qendrore në QKUK.
Ndryshe, në reagimin e SHSKUK-së theksohet se në muajin shkurt janë furnizuar me 16 mijë e 200 copë tretje për infuzion- NaCl 0.9%- 500 mililitra dhe sipas tyre, nuk ka pasur mungesë në asnjë moment.
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia