Mediat serbe politizojnë protestën kundër Jeremiqit

17:30 | 3 Shtator 2016
M. A.

Dhjetëra nëna, motra, e familjarë të 1,650 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, u mblodhën të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të protestuar kundër zgjedhjes se ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, në postin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Por kjo iniciativë e organizatoreve Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina, nuk iu ka pëlqyer aspak mediave serbe.

Mediat serbe me raportimet e tyre e kanë politizuar protestën paqësore që është mbajtur në qendër të Prishtinës duke thënë se protesta është organizuar nga familjet e viktimave të luftës në Kosovë, Shoqatës së Nënave dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Protesta e ditës se sotme ka qenë iniciativë qytetare, por që ka gjetur mbështetjen e të gjitha subjekteve politike”, ka thënë për Indeksonline, organizatorja Jeta Berisha.

Ajo shpreson që mediat tona të reagojnë lidhur me këtë gjë dhe t’i tregojnë Serbisë që kauza jonë i ka bashkuar të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marr parasysh përkatësinë apo favorizimet politike.

Shpërndaje në rrjete sociale