Google ADS

Mbi 200 vullnetarë dhurojnë gjak në Strellc për nder të dëshmorëve

21:28 | 25 Maj 2024
E.G

Ata që ranë për çlirim, tani përkujtohen në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është edhe dhurimi i gjakut, siç veprohet tash e katër vjet në Strellc të Deçanit.

Me moton “Strellci dhuron gjak”, mbi 200 vullnetarë nga ky fshat, me këtë aktivitet, nderuan të veprën dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit.

“25 maji shënon fillimin e luftës frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe, ku me atë datë ra dëshmori i parë në fshatin tonë, Ismet Ukaj, i cili tani e gëzon epitetin e heroit të kombit. Për hir të kësaj date kemi bërë dhurimin e gjakut vullnetar, tash e katër vite. Ky aktivitet tashmë është shndërruar në aktivitet tradicional dhe numri i qytetarëve nga viti në vit po rritet”, tha Vatan Istrefaj, dhurues dhe organizator.

“Strellci masovikisht i përgjigjet dhurimit të gjakut. Është ndjenjë shumë e mirë. Ata para neve kanë dhënë gjakun dhe jetën për liri. Për me dhanë gjak është gjëja më e vogël dhe çdo herë jemi të gatshëm”, tha dhuruesi tjetër, Naim Povataj.

Edhe Bleron Avdimetaj dhurues i gjakut, ka thënë se është ndjenjë e mirë dhurimi i gjakut dhe sadopak një kontribut i vogël për komunitetin.

Është ky viti i katërt që të rinjtë e këtij lokaliteti dhurojnë gjak. Ata thonë se ky aksion do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë./rtk/