Mbi 200 mijë persona ende cilësohen si të zhvendosur nga Kosova, edhe sot e kësaj dite, 16 vjet pasi ka përfunduar lufta dhe kjo dëshmon se sa pak është bërë për kthimin e tyre, ka vlerësuar ministri për Komunitete dhe Kthimi i Kosovës, Dalibor Jevtiq, në hapjen e takimit të sotëm përgatitor të Grupit punues teknik ndërqeveritar për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova.
Ai ka theksuar se numri aktual prej 204 mijë personave të zhvendosur, tërheq vërejtjen se zgjidhja e problemit të tyre kërkon një qasje tjetër.
Takimi i organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, me ndihmën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sot në Prishtinë, ka mbledhur përfaqësuesit e qeverive nga Prishtina, Beogradi, Podgorica dhe Shkupi, të cilët do të paraqesin prioritetet dhe planet e veprimit për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova dhe së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare do të pajtohen për hapat e ardhshëm në kontekst të kësaj nisme.
Ministri Jevtiq ka deklaruar se ekziston e dhëna që 20 mijë persona dëshirojnë që të kthehen vullnetarisht në Kosovë, por aktualisht mund të sigurohet kthimi për vetëm një mijë persona brenda një viti.
“Nëse e kemi këtë të dhënë dhe flasim për kthimin e një mijë personave në vit, kthimin të cilëve mund ta mbështesim financiarisht, neve do të na nevojiten 20 vjet që ata njerëz t’i kthejmë në Kosovë dhe mendoj se ky është një fakt shqetësues. Njëzet vite është periudhë e gjatë, madje edhe 16 vjet është periudhë e gjatë. 16 vjet kanë kaluar që kur këta njerëz janë zhvendosur nga Kosova” thotë Jevtiq.
Ai ka bërë thirrje për përkrahje më të madhe të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, në mënyrë që atyre të cilët dëshirojnë të kthehen në Kosovë, t’iu mundësohet kthimi në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Dalibor Jevtiq ka treguar se Qeveria e Kosovës e ka miratuar Strategjinë për kthimin e personave të zhvendosur dhe se është krijuar grupi ndër-ministror për kthim dhe janë marr vendimet e para, ndërsa pritet zbatimi i marrëveshjeve.
Sipas tij, Ministria për Komunitete dhe Kthim, të gjitha komunitetet i trajton në mënyrë të njëjtë, pa dallim, prandaj edhe kthimi i gjithë këtyre personave të zhvendosur nga Kosova është një sfidë e madhe
“Nga çështjet ekonomike, pastaj edukimi, shëndetësia, çështja e pronës e deri tek çështja e pronës së uzurpuar dhe siguria, të gjitha këto janë tema dhe probleme në zgjidhjen e të cilave duhet të përfshihen institucionet, kompetencë e të cilave është zgjidhja e këtyre çështjeve” ka thënë Jevtiq.
Shefi Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger ka theksuar se është e rëndësishme që personave të zhvendosur të cilët kanë vullnet dhe dëshirë të lirë që të kthehen në Kosovë, një gjë e tillë t’iu mundësohet në mënyrë të sinqertë dhe bazuar në informata reale.
“Këta njerëz ballafaqohen me probleme të përditshme, duke përfshirë edhe pamundësinë e qasjes në informata, në bazë të cilave do të mund të merrnin vendim për kthim, pastaj problemi me qasje në pronë dhe çështja e banimit, si dhe në disa lokacione problemi me pranimin e tyre nga komuniteti lokal. Shembull janë disa incidente të sigurisë, të cilat edhe më tej paraqesin pengesë serioze” tha ambasadori Schlumberger.
Ai ka shtuar se ekzistojnë edhe probleme serioze të natyrës administrative gjatë paraqitjes për kthim dhe se, qëllimi i takimit të sotëm është që të gjenden forma të bashkëpunimit dhe të identifikohen problemet që kërkojnë zgjidhje urgjente.
Përfaqësuesi Rajonal i UNHCR për Evropën Jug-lindore, Andrew Mayne ka deklaruar se ky është moment i duhur dhe i rëndësishëm që të identifikohen saktësisht sfidat aktuale të procesit të kthimit dhe të rishqyrtohen metodat dhe qasja të cilat janë praktikuar deri tash, në kuptim të përshpejtimit të procesit të personave të zhvendosur. Ai ka theksuar se UNHCR ka kryer vlerësimin e gjendjes së personave të zhvendosur në rajon, për t’i ditur saktësisht të gjitha detajet lidhur me procesin e kthimit.
Dushan Kozarev, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, i cili po udhëhiqte delegacionin e Beogradit në takimin e sotëm, konsideron se ky është një takim i rëndësishëm për gjetjen e përgjigjeve në problemet e personave të zhvendosur përbrenda Kosovës dhe atyre të zhvendosur nga Kosova në Serbi dhe shtetet tjera të rajonit.
Sipas tij, është shumë me rëndësi që të animohet bashkësia ndërkombëtare për ta ndihmuar procesin e kthimit, financiarisht, me logjistik dhe organizativisht, në mënyrë që personat e zhvendosur, me rastin e kthimit në Kosovë, të kenë qasje në të gjitha të drejtat e tyre qytetare dhe që kjo të jetë e qëndrueshme.
“Pra, jo vetëm të thuhet se janë marr kaq edhe kaq vendime, nëse ato nuk zbatohen atëherë nuk ka asnjë dobi prej tyre. Qëllimi ynë është që ato të zbatohen në praktik, që njerëzit më në fund të kenë qasje në pronën e tyre dhe të mund të realizojnë të drejtat e tyre të cilat dalin nga kjo” ka thënë Kozarev.
Ministri Jevtiq ka rikujtuar se takimi i sotëm është vazhdimësi e Konferencës së nivelit të lartë për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur, të cilën e kishte organizuar OSBE-ja në nëntor 2014, në Shkup. Nga atëherë ka pasur shumë nisma dhe aktivitete nga të gjitha anët ndërkohë, sot pritet të caktohen afatet për zgjidhjen e këtyre problemeve
Parashikimi i motit për sot
A funksionon vërtet vitamina C për trajtimin e ftohjeve?
Imzot Arjan Dodaj: Të ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo...
Përfundon stinori vjeshtor në Shqipëri, Egnatia në krye të t...
Përmirësohet cilësia e ajrit në Prishtinë
Një i vdekur dhe 10 të plagosur nga një sulm rus