Mbahen konsultimet e para politike mes MPJD-së të Kosovës dhe MPJ-së të Lituanisë

13:39 | 17 Prill 2023
E.H

Nën drejtimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës,Kreshnik Ahmeti dhe zëvendësministres për Punë të Jashtme të Lituanisë, Jovita Neliupšienė, sot në Vilnius, u mbajtën konsultimet politike mes ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja shteteve.

Ahmeti, njoftoi homologen e tij për zhvillimet e fundit dhe progresin që ka shënuar Kosova në dy vitet e fundit.

Përmes një komunikate nga MPJD bëhet e ditur se përgjatë takimit u diskutua edhe për ngritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe ambientit.

Ndërsa, në kuadër të marrëdhënieve multilaterale u bisedua lidhur me agjendën evropiane të Kosovës si dhe mbështetjen që mund të ofrojë Lituania përgjatë procesit integrues të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.

Agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën ishte një nga temat kyçe tê takimit. Të dyja palët diskutuan ndikimin e këtij agresioni në rajonet përkatëse dhe rëndësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Ahmeti, e falenderoi Neliupšienė për mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për Kosovën dhe të dy u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin mes të dyja vendeve./Arbresh.info/