Për protestën e mbrëmshme dhe eskalimin e gjendjes, fajin e kanë organet e ndjekjes. Arrestimi natën i deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti është një veprim i pamatur dhe i gabuar.
Kështu thotë ish- deputeti dhe eksperti i çështjeve të sigurisë Naim Maloku, për Arbresh.info duke shtuar se në këtë rast ka munguar informimi dhe komunikimi i organeve të ndjekjes me qytetarë.
Sipas tij, opinioni nuk ka qenë i njoftuar se Albin Kurti ka pasur ftesë nga prokuroria për intervistim dhe opinioni ka qenë i informuar vetëm se është arrestuar Albin Kurti pa flet-arrest dhe pa paralajmërim, dhe kjo sipas Malokut ka bërë që një numër i të rinjve të dalin në protestë me thirrje të VV-së.
“Është një veprim jo i matur me u bërë arrestimi apo ndalimi i një deputeti të një partie opozitare natën. Është dashur me paramenduar dhe me parallogaritë rrezikun e një veprimi të tillë”, është shprehur Maloku.
Sipas tij, arrestimi i Kurtit është dashur të bëhet ditën dhe opinioni të njoftohet se ai e ka pasur ftesën nga prokurori, për tu intervistuar lidhur me rastin, dhe sipas tij, pavarësisht se kush është duhet me ju përgjigj ftesës së prokurorit dhe në këtë shtet duhet me qenë ligji mbi të gjithë. Maloku tha se ish-lideri i VV-së nuk është dashur të lejohet të shkoj në Norvegji dhe ndalimi i tij është dashur të bëhet në aeroport.
Sa i përket bllokimit të Kuvendit nga opozita, Maloku thotë se zhbllokimi i Kuvendit të Kosovës mund të bëhet vetëm me dialog mes opozitës dhe pozitës.
Sipas tij, liderët e partive politike duhet ta gjejnë një zgjidhje me dal nga kjo situatë, përndryshe këto sjellje vandaliste përveç lëndimeve protestuesve dhe policisë, ka edhe dëme materiale, dhe Kosova po pëson në këtë aspekt.
Fajin për këtë bllokadë, Maloku ia hedhë pozitës, e cila sipas tij, nuk po është e gatshme për dialog. Sipas tij, pozita po sillet në mënyrë shumë injoruese ndaj opozitës për shkak se i kanë 90 numra në kuvend. Maloku thotë se vetëm dialogu mundet me nxjerr këtë vend nga jo situatë.
“Unë nuk po shoh gatishmëri nga pozita për me pas dialog me opozitën, pasi po thirren se i kanë 90 numra në kuvend , dhe në një farë forme e kanë injoruar dialogun me opozitën. Unë dua t’ia përkujtoj pozitës se kur ka qenë Rugova president, me dialog pati formuar Grupin e Unitetit dhe e dini që e vendoske përpara me pri Hashim Thaçi, edhe pse ishte në opozitë”, ka thënë Maloku.
Ai tha se cdo ditë e më shumë opozita po e humb përkrahjen nga qytetarët me sjellje të tilla në protesta.
“Opozita dhe sjellja në protesta në mënyrë të tillë ua ka heq nga koka qytetarëve të Kosovës me dal me protestua dhe nëse dalin do të dalin vetëm njerëzit që janë një segment i caktuar që përdorin dhunë në protesta. Opozita më nuk ka me mund me nxjerr qytetarin e zakonshëm në rrugë’, është shprehur Maloku.
Ndërsa thotë se pavarësisht se kush është ai që ka gjuajtur gazin lotsjellës duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë.
“Gjuajtja e gazit lotsjellës brenda objektit të mbyllur është vepër penale, dhe ajo duhet të ndiqet penalisht. Nuk e arsyeton e as nuk e shfajëson të qenit deputet gjuajtjen e këtij helmi brenda objektit të Kuvendit të Kosovës. Nëse Albin Kurti dhe opozita duan me na pru ligj në këtë vend, duhet fillimisht këta vet me respektu ligjin”, është shprehur Maloku.
Gazi lotsjellës sipas Malokut hyn në grupin e helmeve policore, dhe përdorimi i atij gazi është i lejuar vetëm me ligje strikte në ambiente të hapura dhe ku nuk ka rrezik që të krijohet koncentrik më i madh i atij gazi në ajër, sepse përveç që është gazlotësjellës, është edhe ngulfatës./ G.Lushi/arbresh.info/
Kurti në konakun e Tahir Çakës: Kaçaniku qytet i rezistencës
Kullat e Lezhës drejt rijetëzimit, rreth 200 objekte drejt r...
Edicioni i pestë i “Big Brother VIP”, 14 banorët që u bënë p...
Rusia thotë se bisedimet në Floridë ishin “konstruktive”
Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do të ndryshojmë ligjin p...
Vetaksident në Vrellë të Istogut, dy të lënduar