Lugina uron Kosovën: Pavarësia është testament i gjakut të dëshmorëve

16:15 | 17 Shkurt 2026
E.H

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë uruar popullin dhe institucionet e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Sipas tyre, një Kosovë e fortë dhe e qëndrueshme është garanci edhe për komunitetin shqiptar në Luginë.

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i PVD-së, kujton sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi:

“Pavarësia e Kosovës erdhi pas viteve të errëta të luftës dhe dhunës që synonte zhdukjen tonë nga trojet e veta. Sot kujtojmë me respekt të thellë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe familjet që humbën të dashurit e tyre. Kjo ditë është testament i qëndresës dhe besimit se drejtësia triumfon,” tha Kamberi.

Ai thekson se 18-vjetori i Pavarësisë është një moment që ndryshoi përgjithmonë fatin e Kosovës dhe të popullit të saj. “Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një akt juridik, ajo është testament i gjakut të derdhur, i rezistencës dhe i besimit se drejtësia, sado e vonuar, triumfon. Gëzuar 18-vjetorin, Kosovë!”

Ndërkohë, Ardita Sinani, kryetare e Preshevës, dërgon urime të ngrohta popullit dhe institucioneve të Kosovës:

“Pavarësia është fryt i sakrificës dhe vizionit për një shtet demokratik, të barabartë dhe me orientim euro-atlantik. Lidhja mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës është e fortë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përgjegjësia për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, ekonomi të zhvilluar dhe mundësi reale për të rinjtë tanë. Një Kosovë më e drejtë dhe më e zhvilluar është shpresë dhe garanci për stabilitet në rajon,” deklaroi ajo.

Sinani shton se kjo ditë na fton të festojmë me krenari dhe të ripërforcojmë vendosmërinë për zhvillim, barazi dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët:

“Kjo ditë na gjen të lidhur fort si komb, Kosovën dhe Luginën e Preshevës, jo vetëm nga historia, por edhe nga përgjegjësia e përbashkët për të ndërtuar institucione të forta, arsim cilësor, ekonomi të zhvilluar dhe mundësi reale për të rinjtë tanë. Forca e Kosovës është shpresë për çdo shqiptar kudo që jeton. Një Kosovë më e drejtë, më e zhvilluar dhe më e qëndrueshme është garanci për stabilitet në rajon dhe perspektivë më të sigurt për Luginën tonë,” tha Sinani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme