Google ADS

Luan Dalipi mohon përfshirjen familjare në Qeveri: Vëllai im aplikoi në mënyrë ligjore

14:55 | 30 Maj 2025
E.K

Pas kritikave të ngritura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), lidhur me përfshirjen e vëllait të tij në tregun e energjisë, Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka reaguar publikisht duke sqaruar pozicionin e tij dhe të familjes së tij.

Në një postim në Facebook, Dalipi ka komentuar raportimet që lidhnin kompaninë “Management and Development Associates” (MDA), në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipi, me procesin e aplikimit për licencë për tregtim të energjisë elektrike.

Ai theksoi se vëllai i tij është një sipërmarrës i pavarur dhe se aktiviteti i tij nuk ka lidhje me funksionin e tij në Qeveri.

“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe 😊). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë.”, ka shkruar ai.

Ai kritikoi mënyrën se si disa portale trajtuan këtë çështje, duke i cilësuar raportimet si të ekzagjeruara dhe të papërgjegjshme.

Ai ka thënë se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, “si çdo qytetar tjetër në këtë vend”.

“Përgatitjet për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme Dritoni e ka marr para rreth një viti, për mundësinë për të investuar në tokë private familjare. Tregtimi i energjisë është parë nga ai thjeshtë si mundësi për ta komplimentuar këtë tendencë për t’u zgjeruar në këtë sektor. Aplikimi për licencë është bërë në mënyrë të hapur, ligjore dhe të rregullt pranë ZRRE-së.

“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar Dalipi./Arbresh.info

Të ngjashme

Foto lajm