Lojërat Mesdhetare, Kuvendi miraton marrëveshjen me Shqipërinë

14:25 | 27 Prill 2026
A Z

Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Republikës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, për shqyrtimin e së cilit u desh të bëhej shmangie nga procedurat kuvendare.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani , tha se organizimi i tyre përfaqëson një arritje strategjike për Republikën e Kosovës duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive e ndërkombëtare.

“Marrëveshja me Republikën e Shqipërisë paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportin lundrimit është një zgjidhje logjike dhe në përputhje me standardet e organizimit të ngjarjeve mukati-sportive. Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin Kosovës si nikoqire, po përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet e kapacitete për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse me partner strategjik”, deklaroi ministri para ligjvënësve.

Gashani tha se Kosova mbanë barrë kryesore financiare, ndërsa Shqipëria merr përsipër rolin partnerit zbatues në territorin e saj duke ofruar infrastrukturën detare dhe duke garantuar organizimin teknik dhe operacional të disiplinës së lundrimit.

Bylbyl Sokoli, deputet i LVV-së, tha se vota për projektligjin, është votë për sportin, bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë si dhe për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

Nga PDK-ja foli, Arbnore Salihu që tha se si parti ditë më parë i kanë dhënë vërejtjet e tyre. “Lidhur me mënyrën se si janë paraparë procedurat e prokurimit, auditimit, raportimit të shpenzimeve buxhetore e rekrutimit të stafit”,, deklaroi ajo.

Adelina Thaçi-Meta nga LDK-ja tha se si nënkryetare e Komisionit ka ngritur shqetësimit sa i përket organizimit të këtyre lojërave, por tha se si parti, sikurse çdo marrëveshje ndërkombëtare që është në interes të vendit, e mbështesin edhe këtë.

Nga AAK-ja, Time Kadrijaj tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë.

“Po na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosovë-Shqipëri, duke e ditur që nga kjo Qeveri ka munguar në vazhdimësi bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë”, tha ajo.