“Liria ka emër”, Rama reagon me mesazh pas fjalëve përfundimtare të Thaçit në Hagë

22:03 | 18 Shkurt 2026
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas fjalëve përfundimtare që dhanë ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor ndaj tyre në Hagë.

Rama ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, fjalimin e Hashim Thaçit të bërë sot në fjalën përmbyllëse të tij në procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Krahas videos, Rama ka shkruar një mesazh të shkurtër: “Liria ka emër”.

​Thaçi mbyll deklaratën në Hagë: Ekziston vetëm një e vërtetë – jam i pafajshëm

Kujtojmë se kryeministri shqiptar të martën në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, ndau bisedën emocionale që kishte zhvilluar përmes telefonit me ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, ‘Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!’”, shkroi Rama.

Reagimi i tij vjen menjëherë pas përfundimit të fazës së deklarimeve përfundimtare në gjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, proces që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri.

Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt, pas gati tri vjetëve.

“Unë e kam fituar përjetë lirinë” – Rama ndan bisedën emocionale me Thaçin nga Haga në 18 vjetorin e pavarësisë

Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale