Lekaj e Berisha: S’kemi hequr dorë nga kundërshtimi i demarkacionit

21:36 | 18 Tetor 2016
M. A.

Takimi i sotëm mes Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka rezultuar i frytshëm. Në këtë takim është arritur ujdia qe grupet parlamentare do të dalim me një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit.

‘Indeksonline’, ka kontaktuar me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës qe kanë marrë pjesë në këtë takim për të treguar për përmbajtjen e deklaratës.

Pal Lekaj, nga AAK ka thënë se si opozitë janë të gatshëm që të kontribuojnë për çështjen e vizave, por duke mos u tërhequr nga vendimet e mëparshme. Më këtë deklaratë, sipas tij, do të krijohet konsensus në mënyre qe çështja e demarkacionit të zgjidhet në mënyre paqësore dhe në favor të Kosovës.

“Unë mendoj se demarkacioni nuk do të procedohet në Kuvend në mungesë të votave dhe tani kërkohet një mbështetje nga opozita qe ne të japin besueshmërinë qe të mos zgjidhet me dhunë dhe në mënyre paqësore. Kuvendi është në përpilim të tekstit dhe posta ta marrim do ta shqyrtojnë në organe të partisë”, ka thënë Lekaj.

E, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, ka thënë se qëndrimi i opozitës është i qartë dhe nuk do ta votojë këtë version të demarkacionit, por ka shprehur gatishmërinë qe të jetë pjesë e një deklaratë të përbashkët, e cila garanton dhe siguron miqtë ndërkombëtare dhe vet Malin e Zi, se janë të gatshëm qe mbi bazën e fakteve dhe argumenteve do të bëhet demarkimi i kufirit pa përdorim të forcës.

“Kemi vlerësuar se një deklaratë ku do të përfshiheshin edhe opozita do t’i kontribuojë kthjellimit të një pjesë të faktorit ndërkombëtar në raport me demarkacion”, ka thënë Berisha.

Deputeti i Nismës, ka thënë se nuk është në dijeni nëse kjo deklaratë është e mjaftueshme qe BE të bindet për liberalizimin e vizave kur dihet se ratifikimi i demarkacionit është një nga kriteret e fundit për liberalizimin e vizave.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë pjesë e këtij takimi dhe nuk dihet nëse ata do të pajtohen më këtë deklaratë.

Shpërndaje në rrjete sociale