LAJMI I FUNDIT/Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për Agim Ademin

13:33 | 23 Mars 2023
Emir Abduramani

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ku thuhet se i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Lajmin për “Arbresh.info” e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj A.A., në Gjykatën kompetente”, tha Ulaj.

Ndërkohë,  të mërkurën Agim Ademi u intervistua në stacionin policor nga hetuesit e policisë dhe Prokuroria, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Pas intervistimit të tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë, dje njoftoi se Ademi është ndaluar për 48 orë,  nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndrmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhu me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.

Më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje./Arbresh.info/