Google ADS

Ky është gjyqtari që u suspendua për rastin e Enver Sekiraqës

15:58 | 21 Maj 2024
E.K

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njofton se ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, në të cilën ka vendosur për suspendimin një gjyqtari deri në një vendim tjetër. Burime të “Betimi për Drejtësi” brenda KGJK-së bëjnë të ditur se bëhet fjalë për gjyqtarin Agim Kuçi.

Suspendimi vjen pasi i njëjti më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, ka vendosur që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme