Kuvendi pa zot shtëpie, si të dilet nga ngërçi në Kuvend?

17:00 | 25 Prill 2025
Q L

Deputetët dështuan për herë të gjashtë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.

Procesi ka ngecur për shkak të mungesës së votave të nevojshme për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo mori vetëm 57 vota, ndërkohë që kërkoheshin të paktën 61 për ta zgjedhur në këtë post.

Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si një “figurë përçarëse”, ndërkohë që Vetëvendosje mbetet e vendosur në mbështetje të kandidaturës së saj, duke e konsideruar si një figurë meritore për këtë pozitë.

Për këtë situatë, Melos Kolshi hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), për Arbresh.info thotë se ky është një moment kritik për Kuvendin.

Ai ka theksuar se, në situatën aktuale ku partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, refuzon të ndryshojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, dhe opozita nuk e mbështet atë, kemi një bllokadë institucionale që po ndikon drejtpërdrejt në procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Në situatën aktuale ku partia më e madhe nuk po e ndryshon kandidatin për Kryetar të Kuvendit, ndërsa opozita nuk e mbështet atë, kemi një bllokadë institucionale që ndikon në vetë konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e drejta për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit i takon partisë politike që ka fituar shumicën e nevojshme të vendeve në Kuvend – në këtë rast, partisë më të madhe. Por njëkohësisht, është detyrë dhe përgjegjësi e vetë deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin”, tha ai.

Sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë dhe duhet të respektohet, mirëpo në praktikë kemi një situatë të ndërlikuar për shkak të mungesës së konsensusit politik.

“Aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë dhe duhet të respektohet, mirëpo në praktikë kemi një situatë të ndërlikuar për shkak të mungesës së konsensusit politik. Deri më tani, nuk ekziston një akt konkret – vendim apo veprim formal i Kuvendit – që do të mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij. Pa një akt të tillë, deputetët nuk kanë bazë kushtetuese për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur në të kaluarën se nuk është organ për interpretimin e pyetjeve”, pohon Kolshi.

Ai shton se, ndonëse Kushtetuta nuk përcakton afate të sakta për zhbllokimin e situatës, afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive mund të shërbejë si një udhëzues.

“Megjithatë, duke qenë se kemi të bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme që e paralizon funksionimin e Kuvendit dhe zbatimin e aktgjykimit ekzistues, mund të shihet logjike që të jetësohet paragrafi fundit i letrës së Presidentes ku ajo mund t’i presë partitë për të konsultuar me to, e që në qendër të diskutimit të jetë zgjidhja dhe dalja nga kriza. Edhe pse Kushtetuta nuk përcakton afate rigoroze për zhbllokimin e kësaj situate, afati prej 30 ditësh për mbajtjen e seancës konstituive është një pikë orientuese. Megjithatë, përdorimi i fjalës “mbahet” në nenin përkatës mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme ligjore”, përfundon ai.

Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 27 prill në orën 10:00./Arbresh.info