Kushtetuesja shpallë të papranueshme kërkesën e Hamdi Ibrahimit (DOKUMENT)

15:55 | 10 Korrik 2017
Gita

Gjykata Kushtetuese e Kosovës refuzon kërkesën e ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi për shfuqizimin e vendimit të KGJK-së, në të cilin ai ishte gjetur përgjegjës për sjellje të pahijshme dhe i ishte shqiptuar masë disiplinore e qortimit.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj  thekson se Ibrahimi nuk i ka shteruar të gjitha  mjetet juridike para se t’i drejtohet kësaj gjykate.

Kjo sipas Kushtetueses nuk mund të jetë arsye që parashtruesi i kërkesës, në këtë rast Hamdi Ibrahimi  të lirohet nga shterimi i mjeteve juridike duke marre parasysh se me ligj është rregulluar mënyra se si zgjidhen kërkesat e tilla.

Gjykata në vendimin e saj konsideron se në këtë rast nuk ekziston një vendim përfundimtar i autoritetit kompetent, i cili në këtë faze do të mund të ishte objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, andaj Gjykata ka vendosur ta deklaroj si të papranueshme kërkesën e Ibrahimit.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 47 te Ligjit dhe rregullat 36 (1) (b) dhe 55 (4) te Rregullores se punës, ne seancën e mbajtur me 27 mars 2017, VENDOSI TA DEKLAROJE kërkesën të papranueshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ish- kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi kishte kërkuar që të caktohet masa e përkohshme ashtu që vendimi i KGJK-së me datë 06.07.2016 të lihet jashtë fuqisë deri në marrjen e vendimit  definitiv nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të konstatohet se vendimi i KGJK-së i po kësaj date, cenon lirinë e shprehjes të garantuar  me Kushtetutën e Republikës së Kosovës neni 40., si dhe të urdhëroj KGJK-në që vendimin e  datë 12.07.2016 ta konsideroj si të pavlefshëm dhe si i tillë nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Më 29 qershor 2015 Hamdi Ibrahimi kishte dhënë një intervistë për një nga mediumet vendore, në të cilin kishte paraqitur qëndrimin e tij dhe kishte  komentuar punën e Prokurorisë së Shtetit.

Më 4 dhjetor po të këtij vitit, Zyra e Prokurorit të Shtetit  i kishte paraqitur Komisionit Disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ankesë me të cilën e kishte  ngarkuar Ibrahimin për sjellje të pahijshme, që ka të bëj me shkelje të Kodit të Etikës për Sjellje Profesionale për gjyqtarë.

Me 31 mars 2016 KGJK mori vendim në të cilin e gjeti Ibrahimin përgjegjës për sjellje të pahijshme dhe i kishte shqiptuar masën disiplinore të qortimit./Arbresh.info/ Gita Lushi

Lexo këtu 

Shpërndaje në rrjete sociale