Kushtetuesja blen tri “Skoda” në vlerë 60 mijë euro

09:59 | 5 Maj 2019
A Z

Njihet si Institucion ‘dorëshlirë’.

Madje shpesh herë Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka qenë shënjestër e kritikave për shpenzime të mëdha.

E duket që kjo nuk u bënë shumë përshtypje udhëheqësve të këtij institucioni.

Së fundi listës së shpenzimeve i kanë shtuar edhe tri vetura. E jo çfarë do veturash, ani pse marka ishte ‘skoda’ çmimi i tyre arrin në 60 mijë euro.

Madje njëra prej tyre ka kushtuar hiq më pak se 21 mijë e 500 euro.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovë.

Dula në përgjigjen elektronike ka thënë gjithashtu se veturat tjera kanë kushtuar nga 20 mijë e 400 euro dhe 17 mijë e 550.

“SKODA Octavia Ambition 1.6 TDI DSG – Çmimi me TVSH deri në regjistrim me pajisje shtesë për veturën e parë është:  20,400.00 €. II. SKODA Octavia Ambition 1.6 TDI – Çmimi me TVSH deri në regjistrim me pajisje shtesë për veturën e dytë manual është: 17,550.00 €.  III. SKODA Octavia Ambition 2.0 TDI DSG – Çmimi me TVSH deri në regjistrim me pajisje shtesë për veturën e tretë është: 21,500.00 €”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërsa i pyetur se nga kush do të shfrytëzohen këto vetura Dula ka thënë se ato janë blerë për nevojat e Kushtetueses.

“Veturat janë blerë për nevoja të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

E sipas Dulës, ky Institucion aktualisht ka në shfrytëzim gjithsej 12 vetura.

Në tenderin me titull “Blerja e  tri veturave zyrtare për nevojat e GJKK-së” fillimisht ishte planifikuar të shpenzoheshin 55 mijë euro. Por pas hapjes së tenderit ofertuesi i vetëm ishte PORSCHE KOSOVA SH.P.K që kishte ofruar çmimin prej 59 mijë e 450 euro.

Kjo kompani edhe është shpallur fituese.

Se Gjykata Kushtetuese është goxha ‘dorëshlirë” vërtetohet përmes një shikimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Vetëm gjatë muajit prill kjo gjykatë ka shpallur disa tender dhe ritender.

Kushtetuesja do të blej lule të gjalla mbi 10 mijë euro. Për kontratën me titull “Shërbime të mbjelljes dhe furnizimit me lule të gjalla” ka planifikuar të shpenzoj saktësisht 10 mijë e 500 euro.

Ndërsa për blerje të laptopëve, kompjuterëve, destopëve e dhe UPS ka planifikuar të shpenzoj mbi 16 mijë euro.

Gjithashtu gjatë prillit, Kushtetuesja ka shpallur tender edhe për Blerja e serverit (back-up). Pavarësisht se nuk është cekur vlera që parashikohet për këtë tender ai është renditur tek kontratat me vlerë të mesme./Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale