Gjykata Speciale edhe këtë gjatë gjithë vitit 2024 vazhdoi “gjahun” duke arrestuar e bastisur disa shtëpi të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e pa lënë anash as personave politikë të rëndësisë së lartë në Kosovë.
Operacionin e parë të bastisjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar e zhvilloi më 7 mars te shtëpia e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, shkruan Arbresh.info.
Në atë kohë Artan Qerkini, avokat i ish-komandantit theksoi se Selimi nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por që brenda shtëpisë së tij ka mundur të ketë dëshmi që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.
Ai shtoi se ata kanë vërejtje për mënyrën se si është bastisur shtëpia e Selimit, teksa u shpreh se këto çështje do t’i adresojnë para institucioneve përkatëse.
Atë ditë u raportua edhe për bastisje të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Gjë të cilin ai e mohoi. Nuk e zgjati shumë dhe një ditë më pas (8 mars) Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Drenicës, Sami Lushtaku u ndalua nga Policia e Gjykatës Speciale dhe më pas është dërguar te zyrat e EULEX-it në Prishtinë.
Avokati i tij, Artan Qerkini kishte thënë se Lushtakut i ishte konfiskuar telefoni mobil duke shtuar se Lushtaku nuk është i dyshuar.
Muaj më vonë, më 5 dhjetor Zyra e Prokurorit të Specializuar realizoi një tjetër aksion ku arrestuan ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliun, vëllain e dy heronjve të Kosovës, Fazli dhe Bahri Fazliu, si dhe ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj.
Në një përgjigje për Arbresh.info, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte konfirmuar se operacionet ishin pjesë e një hetimi të vazhdueshëm që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Ndërkaq bastisje e cila zgjati me orë të tëra pati në shtëpinë e ish-ministrit Kuçi për të cilin ishte lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara.
Ndaj tij ka ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Më 6 dhjetor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një komunikate njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuza të reja kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale që ndërlidhin me pengimin e drejtësisë.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Pas ngritjes së aktakuzës së dytë kundër tij në Hagë, ai ka insistuar që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Por, pak hollësi ka dhënë se për çfarë saktësisht e ka fjalën.
“Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi.
Kush shpëtoi?
Por kush i shpëtoi dënimit të Speciales?
Më 7 nëntor, Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka liruar nga të gjitha akuzat dhe ka përmbyllur hetimet ndaj tij.
Buja, ish-kryetar i Lipjanit, tha se hetimet ndaj tij, që nisën më 2019, u përmbyllën dhe ai u njoftua zyrtarisht për këtë gjatë kësaj jave nga Dhomat e Specializuara.
Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Ndërsa, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, më 24 dhjetor bëri të ditur se është njoftuar nga Gjykata Speciale se e ka përfunduar dënimin prej 4 vite e 3 muaj burgim.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuara janë institucione të krijuara për të trajtuar pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Ato janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës por me seli në Hagë të Holandës në mënyrë që të garantohet pavarësia dhe siguria e dëshmitarëve si dhe integriteti i procesit gjyqësor./Arbresh.info/
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...
KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në të gj...
Gjobë 500 euro, pikë negative e ndalim i drejtimit të automj...
Dron në shtëpinë e BBVK për Benitën