Kusari: Abuzimet verbale ndaj gazetarëve duhet të ndalen, para se të bëhet vonë

20:39 | 1 Nëntor 2018
M. A.

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka bërë thirrje që të ndalet trendi, siç ka thënë ajo, i rrezikshëm, i abuzimeve verbale ndaj gazetarëve.

Ka thënë se në Kosovë, kulminacioni i këtij fenomeni u arrit nga hiç më pak se kreu i shtetit, Hashim Thaçi, që në Rubikon të KTV-së, sipas Kusarit përdori fjalor abuziv, fyes dhe linçues.

Kusari ka treguar se nesër shënohet Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve. E ka thënë se të gjitha ata që kërcënojnë gazetarët duhet të vihen para drejtësisë.

“Njëkohësisht, duhet të ndalet trendi i rrezikshëm i abuzimeve verbale kundër gazetarëve. Kulminacioni i abuzimit verbal ndaj gazetarëve ishte reagimi abuziv, fyes dhe linçues 10 minutësh i presidentit Hashim Thaçi në Rubikon pasi nuk i pëlqeu pyetja e Adriatik Kelmendit”, ka shkruar Kusari, përcjell Koha.net. “Abuzimin verbal ndaj gazetarëve presidenti Thaçi e ka filluar gjatë verës me sulmet e tij ndaj mediave duke imituar kështu Viktor Orban në Hungari, Joseph Muscat në Maltë, Robert Fico në Sllovaki dhe Donald Trump në ShBA. Në Maltë dhe Sllovaki janë vrarë dy gazetarë”, ka shtuar më tej ajo.

Kusari ka bërë thirrje që abuzimet verbale të ndalen, siç ka thënë, para se të jetë shumë vonë.

Shpërndaje në rrjete sociale