Kurti: Zahir Pajaziti me shokë, dritë udhërrëfyese e rezistencës çlirimtare

15:13 | 31 Janar 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se dita e fundit e janarit, tash e 29 vjet, është e rezervuar për kujtimin e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës – ndër figurat më të shquara dhe më përfaqësuese të rezistencës së armatosur për çlirimin e Kosovës.

Ai theksoi se kjo traditë tashmë e institucionalizuar nuk është vetëm kujtim i rënies së tyre, por nderim për domethënien historike të veprës dhe sakrificës së tyre.

Në Akademinë Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, të mbajtur në Podujevë, Kurti rikujtoi se më 31 janar 1997 ranë tre dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtruar pyetjen thelbësore se kush ishin ata dhe çfarë kohe përfaqësonin.

Sipas tij, që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912 dhe gjatë gjithë shekullit XX, synimi kryesor politik dhe kombëtar i shqiptarëve ishte çlirimi nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia. Në këtë rrugëtim të gjatë historik, shqiptarët ndoqën dy rrugë plotësuese: angazhimin politik dhe kryengritjen e armatosur.

Ai theksoi se në dekadën e fundit të shekullit XX, përpjekja për liri u përmbyll me organizimin politik dhe ushtarak rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mbyllur një kapitull të vështirë, por të lavdishëm të historisë sonë.

Në këtë kontekst, Kurti veçoi Zonën e Llapit si një vatër të rëndësishme të organizimit ilegal dhe të rezistencës aktive, e cila i dha Kosovës një nga grupet më të organizuara të UÇK-së – Grupin e Zahir Pajazitit me shokë, që më vonë u shndërrua në bazë të Zonës Operative të Llapit.

Nga takimet e fshehta në odat e Llapit deri te akademia përkujtimore e sotme, Kurti tha se djemtë dhe vajzat e kësaj zone lanë pas një histori të jashtëzakonshme përpjekjeje, disipline dhe flijimi për lirinë e Kosovës.

Ai nënvizoi se rënia e tyre ishte njëkohësisht humbje e dhimbshme dhe gur themeli i rezistencës së armatosur, e cila u bë frymëzim për brezat që iu bashkuan luftës çlirimtare.

Në përmbyllje, Kurti theksoi se kujtimi i Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës nuk është vetëm akt nderimi për të kaluarën, por edhe një thirrje për përgjegjësi ndaj së tashmes dhe së ardhmes, për ta ruajtur dhe zhvilluar lirinë e fituar me sakrificë.

Në këtë akademi përkujtimore folën edhe kryetari i Podujevës, Shpëtim Bulliqi, familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut. Ndërsa pati edhe pika muzikore./rtk