Kurti viziton profesorin 97-vjeçar për Pashkë, vlerëson kontributin në arsim dhe kulturë

20:28 | 5 Prill 2026
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë për Pashkë në familjen e ish-profesorit të gjuhës shqipe, Pashk Staka, në Prishtinë.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se është pritur me shumë dashamirësi nga profesori 97-vjeçar, bashkë me bashkëshorten e tij, Anjeza Gjoni-Staka, si dhe familjarët e tyre.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri theksoi se ka mësuar më shumë për jetën dhe kontributin e zonjës Anjeza, e cila kishte qenë këngëtare në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren dhe më pas mësuese në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si një rrugëtim të rëndësishëm në shërbim të kulturës dhe arsimit.

Sipas tij, biseda me familjen Staka ka qenë e pasur dhe ka përfshirë tema të ndryshme, që nga historiku i ndërmarrjeve shoqërore deri te zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në vend.

Në fund, Kurti e falënderoi profesorin për mikpritjen, duke i uruar shëndet të mirë dhe jetë të gjatë./Arbresh.info