Në Kamenicë, sot u vendos gurthemeli i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, e në praninë e mësimdhënësve dhe nxënësve ishin pjesë e ceremonisë së organizuar me këtë rast.
Para tyre, ai tha se përkujtimi i përvjetorit të vdekjes së rilindasit, Fan S. Noli, përmes emërtimit të shkollës, është simbolik domethënëse dhe zotim për vazhduar angazhimin në rrugën e dijes.
“Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë, në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor”, u shpreh kryeministri, përcjell arbresh.info.
Ai shtoi se roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm e faktorë vendimtarë edhe për zhvillimin e vendit dhe se kjo është arsyeja që e kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se shkolla e re Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, 5 kabinete, 1 bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. E financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vlera e projektit të shkollës së re është 1.7 milionë euro.
Gjatë qëndrimit në Kamenicë, paraprakisht kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Kryetarin e kësaj komune, Kadri Rahimaj dhe ekipin e tij, ku u informua për punën e deritanishme, projektet që janë duke u zbatuar dhe që planifikohen në të ardhmen.
Ai ofroi mbështetjen e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e planeve të komunës, në shërbim të zhvillimit të saj dhe mirëqenies së qytetarëve.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e vendosjes së themelit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli” :
I nderuari Kryetar i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, znj. Arbërie Nagavaci,
Të nderuar mësimdhënës dhe të dashur nxënës,
Të nderuar drejtorë të komunës dhe asamblistë të Kuvendit Komunal,
I nderuari drejtor i shkollës dhe staf tjetër të kësaj shkollë, gurthemelin e së cilës po e vendosim sot,
Të dashur qytetarë të Kamenicës,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Është kënaqësi që po takohemi, në këtë ditë kaq të bukur, dhe po i vendosim themelet e një shkolle të re. Kësaj shkolle që nderon kujtimin e shkrimtarit dhe veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, një prej rilindësve më të shquar, Fan Noli, emrin e të cilit mbanë shkolla.
Po takohemi pikërisht në përvjetorin e 58-të të shuarjes së këtij rilindasi. Përkujtimi i tij, nëpërmjet emërtimit të shkollës, është simbolikë me domethënie të madhe. Është zotim për vazhdimin e angazhimit në rrugën e dijes e të arsimit.
Projekti i kësaj Shkolle Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë, është ai i një shkolle moderne. Do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, pesë kabinete, një bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. Pas disa viteve shkollimi në kushte të papërshtatshme, nxënësit e Kamenicës do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për rritjen dhe zhvillimin e tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë, në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor.
Në mars urojmë mësimdhënësit në misionin e tyre të përkryer. Ata që na e adresojnë jetën tonë drejt talentit, njeriun tonë drejt qytetërimit. Ne na mbetet detyrë të lehtësojmë misionin e tyre. E institucionet tona duhet të jenë të përgjegjshme që ta ngrenë cilësinë e shkollave në vendin më sublim. Aty ku themelohet ndërgjegjja e ku ushtrohet profesioni më fisnik.
Roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm dhe faktorë vendimtarë për zhvillimin e vendit. Kjo është arsyeja pse ne kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas.
Me përgjegjësi institucionale e me përkushtim kolektiv, të angazhohemi e të punojmë për shoqëri që është përparimtare. Këtë na e thonë idealet e veprimtarëve e dëshmorëve tanë. Këtë na e kërkojnë edhe ëndrrat e fëmijëve tanë.
Lavdi mësimdhënësve dëshmorë. Mirënjohje të gjithë mësimdhënësve, që detyrën e tyre, nga punë të përditshme e kanë kthyer në mision jetësor.
Të dashur mësimdhënës dhe nxënës të pranishëm,
E dashura Medina,
Të dashur qytetarë të Kamenicës,
Më lejoni të ju përgëzoj edhe një herë dhe të ju uroj punime të mbara në ndërtimin e shkollës.
Ju faleminderit dhe e gëzofshi!




“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...
18 prill, finalja e madhe e Big Brother Vip Albania