Kurti uron Fitër Bajramin: Të jemi më solidarë dhe më të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit

07:09 | 20 Mars 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke bërë thirrje për më shumë solidaritet dhe falënderim për të mirat që gëzojmë.

Në mesazhin e tij, Kurti ka shprehur urimin që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve gjatë muajit të Ramazani të jenë pranuar, teksa ka theksuar rëndësinë e kësaj dite si moment reflektimi dhe bashkimi familjar.

Postimi i plotë:

Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami!

Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar! Në mesin e begative që gëzojmë sot, të rrethuar me më të dashurit tanë, le të na gjejë kjo ditë feste për besimtarët myslimanë, dhe çdo ditë tjetër e vitit, edhe më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me nevojat e atyre që kanë më pak dhe më të vëmendshëm ndaj përmirësimit si individë dhe si shoqëri.

Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja. Në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale