Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e qeverisë.
Ai përmes një postimi në Facebook, tregon se në mbledhjen e stome u morën 24 vendime, ndërsa ka cekur disa më kryesore, përfshirë udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, si dhe rialokimin e 3 milionë euro për 25 projekte në komuna, shkruan arbresh.info.
“24 vendime në mbledhjen e 84-të. Për mbrojtje të konsumatorit dhe të konkurrencës, miratuam udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme. Nafta do të ketë çmim tavan që varet nga mesatarja e furnizimit. Rialokuam 3 milionë euro për 25 projekte në komuna”, shkruan Kurti.
Po ashtu në kuadër të reformës së drejtësisë, ai shkruan se qeveria miratoi koncept-dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit.
“Miratuam edhe dhënien në shfrytëzim të pasurive të konfiskuara për nevoja të institucioneve. Për të avancuar e mbrojtur të drejtat e njeriut, nominuam përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete. Për parandalimin e trafikimit me njerëz, miratuam Strategjinë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz 2022-2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024. I hapëm udhë emërimit të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me shfuqizimin e vendimit paraprak”, shkruan Kurti.
Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës miratoi edhe hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.
Qeveria për realizim të projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes, ka miratuar shpronësimin e pronave të paluajtshme brenda Lokacionit të Aeroportit të Gjakovës.
“Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, miratuam Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane. Për zgjerimin e bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, miratuam dy nisma, po ashtu, edhe dy të tjera për Programin IPA”, shkruan Kurti./arbresh.info/

Zyrtare: Tuchel rinovon kontratën me kombëtaren e Anglisë
Qeveria “Kurti 3” miraton marrëveshjen 90 milionë euro me Ba...
Shkëlzen Jetishi, Sabri Fejzullahu, Arif Vladi dhe shumë ar...
Zvicra do të hedhë në votim propozimin për të kufizuar popul...
Dixon: Gjykata duhet të ketë kujdes nga dëshmitë që ua dha S...
Qeveria procedon në Kuvend projektligjin për buxhetin e viti...