Mundësitë e rritjes së bashkëpunimit me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional u diskutuan në takimin që kryeministri Albin Kurti pati me Ministren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Huml, transmeton arbresh.info.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Huml për përkrahjen e vazhdueshme dhe investimet gjermane në Kosovë.
“Në Bavari jeton numër shumë i madh i mërgatës sonë dhe kjo lidhje e fortë është një shans i mirë për shtimin e investimeve të Bavarisë, por edhe të Gjermanisë në përgjithësi”, tha kryeministri Kurti.
Si rezultat të parë të bashkëpunimit të afërt me mërgatën në Gjermani, Kurti theksoi marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Besa Foundation” në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Ky Memorandum i Mirëkuptimit do të mbështetë bashkëpunimin ndërmjet akterëve relevantë, me qëllim të lehtësimit dhe zbatimit të dialogut nacional në Republikën e Kosovës.
Modeli gjerman i sistemit dual të arsimit është treguar i suksesshëm dhe kryeministri kërkoi që Bavaria të ndihmojë me përvojën dhe përkrahjen në këtë fushë.
“Një aspekt tjetër që do të kontribuonte në shtimin e investimeve do të ishte edhe hapja e një zyre ekonomike bavareze në Prishtinë”, tha kryeministri Kurti.
Ministrja Huml përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe progresin në Kosovë dhe shprehu përkrahjen dhe angazhimin e mëtejmë të Bavarisë për një perspektivë më të qartë për rrugën e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.
Gjithashtu, ajo përshëndeti renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, pas invazionit dhe agresionit në Ukrainë, si edhe për gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë.
Kurti foli për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ministrja Huml theksoi nevojën për kthimin e vëmendjes dhe riorientimin e investimeve në këtë rajon./arbresh.info/

Begaj: Shqipëria do të marrë komandën e batalionit shumëkomb...
Zelensky: Ukrainasit duan paqe, por jo me çdo kusht
“Mirënjohës për punën, mundin e sakrificën për gjithë Kombin...
Kurti: Daci do të mbetet emër i rëndësishëm në historinë e s...
Pacolli reagon për vdekjen e Nexhat Dacit
Osmani reagon për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit: Nga akad...