Kurti: “Shtëpia e Verdhë” s’ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, është pjesë e narratives hibride të Serbisë

09:44 | 18 Shkurt 2026
E.K

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hapur Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës me titull “Nga lufta në rimëkëmbje”, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së Ditës së Pavarësisë me reflektimin shkencor dhe institucional mbi plagët e luftës dhe rrugën e rimëkëmbjes së Kosovës.

Kurti vuri në dukje se konferenca nuk është thjesht një aktivitet akademik, por pjesë e një procesi shtetëror dhe shoqëror për përballje me të kaluarën, dokumentim të së vërtetës dhe drejtësi.

Ai theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, duke u përgjigjur ndaj represionit sistematik dhe mohimit të të drejtave të popullit shqiptar gjatë regjimit serb.

Ai kundërshtoi narrative të fabrikuara si ajo e ashtuquajturës “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri dhe përmendi dokumente dhe dëshmi mbi ngjarjet e njohura si “Sarajevo Safari”, të cilat kërkojnë hetim ndërkombëtar.

“E ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narratives hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Shtëpi të Verdhë” nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur “Sarajevo Safari” ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e “Sarajevo Safari” do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha ai./Arbresh.info

Të ngjashme