Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar qytetarët për durimin, për vetëpërmbajtjen dhe për pjekurinë që keni treguar të dielën e 31 korrikut dhe të hënën e 1 gushtit.
Këto komente ai i ka bërë në mbledhjen e sotme të ekzekutivit.
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 92-të të Qeverisë
Të dashur qytetarë,
Përgjatë muajit korrik, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi dhënë njoftime mbi vendimet tona për regjistrimin e automjeteve me targat zyrtare RKS dhe sqarimet për procedurat dhe lehtësimet. Edhe unë vetë jam përfshirë në fushatën e informimit. Ndërkaq, që Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar të gjitha njoftimet në gjuhën shqipe dhe serbe, teksa ka pasur aktivitete informuese edhe në terren.
Por, përballë fushatës sonë të informimit për vendimet e qeverisë të datës 29 qershor dhe thirrjes për ligjshmëri u ngrit një fushatë e dezinformimit, e cila nxiste frikë dhe synonte destabilitet. Ajo ishte vetëm në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit.
Të dashur bashkëqytetarë,
Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në të gjithë Republikën tonë. Duke i kontribuar këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë mund të përfitohet nga lirimi nga taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit – që në vlerë totale kapin shifrën prej rreth 5000 euro.
Në anën tjetër, vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje në pikat kufitare për ata që prezantojnë dokumente të lëshuara nga autoritet serbe nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes. Koha e pritjes për t’u pajisur me këtë dokument shtesë është mesatarisht 20 sekonda. Ndërkohë që për një masë të njëjtë për tash e 11 vjet sa herë që ne udhëtojmë në Serbi duhet të presim ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta.
Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të ose dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje-dalje është dokument shtesë, i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona shtetërore gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë. Më 1 gusht, për aq sa ishte vendimi në fuqi, në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin lëshuar gjithsej 2,679 dokumente për hyrje-dalje. Asnjë incident nuk ishte shënuar dhe as edhe një ankesë nuk ishte deponuar.
Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformatave ndërkaq që rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot, dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. Ju bëj thirrje edhe një herë që të përcillni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë dhe institucionet tjera vartëse, të verifikoni burimet e lajmeve dhe të mos lejoni që të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin.
Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur edhe do të rifillojnë së zbatuari dy vendimet tona.
Në fund, dua të ju falënderoj për durimin, për vetëpërmbajtjen dhe për pjekurinë që keni treguar të dielën e 31 korrikut dhe të hënën e 1 gushtit.
Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk u përfaqësojnë juve qytetarët tanë, e as nuk u mbrojnë juve. Kurse në anën tjetër, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, edhe përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim edhe janë në shërbimin të qytetarëve tanë pa dallim.
Ju faleminderit.
/arbresh.info/
Gjiganti anglez tërhiqet nga gara për Semenyon, vazhdon R...
Rrahmani shkëlqen në stinorin vjeshtor tek Sparta, top golas...
Kurti paralajmëron investim në Trepçë, thotë se do të vijë n...
Xhaka për Alonson: Kur ai hynte në dhomat e zhveshjes dhe fi...
Zelensky bisedë telefonike me Von der Leyen: BE po e mbështe...
Qytetarja nga Ferizaj gjen 470 euro dhe i dorëzon në polici