Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka nderuar çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe.
Në një postim në Facebook, ai shprehu nderim për Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shkruan Arbresh.info.
Kurti shkroi edhe për Ramadan Nishorin i cili u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ai tha se kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë.
“Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme. Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton.”, u shpreh ai.
“Heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje. Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati.”, tha mes të tjerash ai.
“Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Këto krime nuk parashkruhen e as nuk falen.”, u shpreh ai.
Kurti u shpreh se kjo ditë është rikujtim se nuk do të lejojmë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave e të mbijetuarve të harrohet apo të shpërfillet.
“Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke kërkuar drejtësi dhe me solidaritet, ne mund të ndërtojmë një shoqëri paqësore e të ardhme të drejtë për të gjithë.”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/
LVV-ja konfirmon dëmtimin e varrit të Astrit Deharit: Jemi n...
Afati i sotëm për tërheqje nga gara zgjedhore, Cakolli: KQZ ...
S’ka pajtueshmëri për votat me postë, KQZ shkon në pauzë
Indonezi: Mbi 900 të vdekur nga përmbytjet, rreziku i urisë ...
Elezi: Më 7 dhjetor, në orën 23:59 mbyllet afati i subjektev...
Man City e shfrytëzon gabimin e Arsenalit, fiton bindshëm nd...