Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi në 25-vjetorin e vrasjes së tyre në Gjakove.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përcjell Arbresh.info.
Ai ka theksuar se Qeveri e Republikës së Kosovës, janë zotuar se nuk do të reshten së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës.
Postimi i plotë:
Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe.
Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni.
Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia.
Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës.
Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë.
Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve./Arbresh.info
Kurti pret përfaqësues të Parlamentit britanik në Prishtinë,...
Gjeneralmajori i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Osborn uron Kos...
Zhbllokohet rruga drejt Malit të Zi, lejohet qarkullimi për ...
Trupat shqiptare në stërvitje për KFOR ’36 në Gjermani, Veng...
Përfundojnë bisedimet në Gjenevë, Zelensky akuzon Rusinë për...
Arrestohet një i ri në Ferizaj, konfiskohet armë zjarri edhe...