Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit ”Haxhi Zeka” në Pejë.
Kurti tha se sot është një ditë e veçantë, një moment triumfues dhe datë festive për ta, për familjet e tyre, stafin akademik dhe administrativ të universitetit, dhe për të gjithë ata që ishin aty për t’iu uruar suksese, transmeton Arbresh.info.
”Diplomimi është ndjenjë krenarie që përzihet me mall për gjithçka që keni kaluar gjatë kësaj periudhe: miqësitë, sfidat, mësimet, jo vetëm ato në orët e ligjëratave e të provimeve, por edhe ato të jetës së këndshme studentore”, tha kryeministri.
“Nga viti 2021 deri në 2025, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë investime kapitale prej 7,7 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi i ndërtesës së re për Fakultetin e Biznesit dhe Turizmit, Menaxhimit të Pritjes dhe Mjedisit, me një sipërfaqe prej 8,000 m², në vlerë prej 4,3 milionë euro. Kjo ndërtesë, e cila do të përfundojë deri në fund të këtij viti, do të përmirësojë kushtet e mësimdhënies dhe do të sigurojë qasje më të mirë për të gjithë studentët, përfshirë ata me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftimin nga ZKM.
Ndër të tjera, Kurti tha se në maj të këtij viti është nënshkruar marrëveshja për fillimin e ndërtimit të Inkubatorit të Biznesit, ku Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të investojë 3,2 milionë euro. Ndërtimi do të fillojë ketë vit dhe do të përfundojë në vitin 2027.
Kurti shtoi se sukseset e universitetit nuk kufizohen vetëm te zhvillimi i brendshëm. Universiteti ”Haxhi Zeka” ka përmirësuar renditjen e tij ndërkombëtare në platformën Webometrics, duke u ngritur për më shumë se 2,000 pozicione në periudhën 2019-2024.
”Kjo rritje është rezultat i angazhimin të stafit akademik për të mbajtur standarde të larta të kërkimit dhe edukimit, duke shfrytëzuar dhe programet e mbështetjes së projekteve shkencore nga Ministria e Arsimit”, theksoi kryeministri.
Në këtë ceremoni, kryeministri vlerësoi se ata tani janë pjesë e një komuniteti që ka përgjegjësi të zhvillojë shoqërinë dhe vendin tonë, duke kontribuar në fushën e biznesit, turizmit, agrobiznesit, drejtësisë dhe arteve.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës, të diplomuarve ju uroi suksese të mëtejme në rrugëtimin e tyre duke kërkuar nga ta që ta kujtojnë se diploma e tyre është një bazë mbi të cilën mund të ndërtojnë gjëra të mëdha, jo vetëm për veten, por edhe për familjet e tyre, komunitetet dhe shtetin tonë.

Vdes veterani i UÇK-së Shani Kurtaj
Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shq...
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...
Londrimi këshillon Labin për lojë: Mos i beso askujt këtu