Kurti merr “aminin” nga Këshilli i Përgjithshëm i VV-së për kryeministër, premton rikthimin e reciprocitetit me Serbinë

18:27 | 14 Janar 2021

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti në mbledhjen e 43-të të Këshillit të Përgjithshëm është propozuar si kandidat për kryeministër.

E në fjalën e tij gjatë kësaj mbledhje Kurti u shpreh se marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet, shkruan arbresh.info

“Marrëdhëniet me Serbisë do të ndërtohen mbi reciprocitet mbi bazën e të kaluarës së afërt që nuk është mbyllur, me gjetjen e personave të zhdukur dhe me ndjekje të kriminelëve të luftës”, tha Kurti.

Kandidati për kryeministër po ashtu shtoi se me qeverinë në ardhje do të forcohen edhe marrëdhëniet me ShBA-në.

“Marrëdhëniet me ShBA-në në qeverinë tonë do të forcohen. Kosova e ka aleat të madh Amerikën dhe interesat tona janë të përbashkëta, forcimi i Ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO mbesin prioritetet e qeverisë së ardhshme”, tha Kurti.

Po ashtu, ai pati porosi edhe për të gjithë qytetarët për ditën e zgjedhjeve.

“Ndodhemi në një pikë të rëndësishme për Republikën, mendojeni dhe peshojeni mirë këtë moment. Gra e burra vajza e djem mërgimtarë dilni dhe votoni për një të ardhme me Lëvizjen Vetëvendosje. Fëmija i një bujku në Kaçanik duhet të ketë mundësi të barabartë sikur një fëmijë i një avokati në Prishtinë. Mërgata jonë më në fund do të marr rolin që i takon në shoqërinë tonë”, u shpreh Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara