Kurti kërkon votën e qytetarëve në Prizren, premton ndërtimin e rrugëve dhe investime milionëshe në shëndetësi

23:18 | 5 Shkurt 2025
E.H

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti ka thënë se Prizreni e ka dashur gjithmonë Lëvizjen.

Në një tubim me qytetarët në qytetin e bukur, Kurti tha se edhe Qeveria e ka dashur fort Prizrenin, dhe sipas tij kjo e dëshmon buxheti që është ndarë dhe emërimet e bëra, përcjell Arbresh.info

Në vazhdim ai theksoi se për katër vjet Kosova i ka 80 mijë të punësuar më shumë, apo sa gjashtë stadiume “Fadil Vokrri” të mbushura plot në Prishtinë, duke përmendur edhe se sipas Bankës Botërore, është zvogëluar për gati 25% varfëria.

“Me Qeveritë e kaluara, partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon ishte Serbia, me neve partneri kryesor tregtar në rajon është Shqipëria. Me ato ish-qeveritë, Kosova importonte më së shumti mallra nga Serbia, me Qeverinë tonë ne importojmë më së shumti nga Turqia”, nënvizoi kryeministri Kurti përballë qytetarëve të Prizrenit.

Po ashtu, kurti foli edhe për investimet që janë bërë në Prizren.

“Në këto 4 vjet, në Prizren kemi investuar gjithsej mbi 240 milionë euro, e në mandatin e ri vetëm rruga Prizren-Tetovë do të jetë 200 milionë euro, që do ta ndërtojmë e financojmë bashkë me Maqedoninë e Veriut. Do ta ndërtojmë edhe rrugën e Dukagjinit, që zgjerohet dhe lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën dhe Istogun. Spitalit rajonal të Prizrenit ia kemi shtuar rezonancën magnetike, shërbimet e kardiologjisë invazive, e do t’i vazhdojmë investimet milionëshe për repartin e Pediatrisë dhe do ta ndërtojmë Poliklinikën Specialistike në Sharr”, theksoi kryeministri Kurti.

Në vazhdim të fjalës së tij, Kurti tha se do t’i shtojmë edhe 10 profile të tjera te sistemi dual.

“Në këtë mënyrë, të rinjtë tanë, prej moshës 15 apo 16 vjeçare fillojnë dhe e lidhin fitimin e përfitimin me punën dhe angazhimin, e jo me fatin dhe me krimin. Ky është aspekt tejet i rëndësishëm socio-kulturor, që mëson qysh në moshë të re se pasurimi dhe fitimi nuk vjen prej fatit apo krimit, por prej angazhimit dhe punës”, shtoi Kurti.

“Punoni të gjithë, e flejmë pas 10 shkurtit. Deri më 9 shkurt le ta kursejmë edhe gjumin, por jo punën. Ne kemi koalicion me popullin,Vetëvendosje në koalicion me Guxo, me Alternativën dhe popullsinë e Prizrenit dhe popullin e Kosovës. Faleminderit që po e bëni dimrin verë. Më 9 shkurt Prizreni, Kosova e diaspora, do të votojnë bashkë, do të festojmë bashkë e do të fitojmë bashkë me mbi 500 mijë vota”, u shpreh Kurti në fund të fjalimit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale