Pas sesioneve dhe punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, që në 10-vjetorin e tij u mbajt pikërisht në kryeqytetin e Gjermanisë, në objektin e Kancelarisë gjermane, kryeministri i vendit, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u mirëprit për një takim bilateral nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kurti e falënderoi kancelarin Scholz për mikpritjen e sotme, dhe e përgëzoi për samitin e suksesshëm të cilit i paraprinë gjashtë ministeriale dhe zhbllokimi në CEFTA, ku tani Kosova përfaqësohet nga institucionet e saj në vend të UNMIK-ut, përcjell Arbresh.info.
Së bashku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat Gjermania mund ta mbështes Kosovën.

“Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që të mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Kryeministri gjithashtu kërkoi nga kancelari Scholz mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan dhe u dakorduan sot, përkatësisht Marrëveshjen për Qasje në Arsim të Lartë dhe Pranim për të Studiuar në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028.

“Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftim.
Kurti e falënderoi kancelarin për bashkëpunimin e afërt dhe përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe Gjermanisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj./Arbresh.info

“Nuk ishte karton i kuq te Gnabi, pësuam edhe gol shkaku i t...
Fatmir Limaj mban sot konferencë të jashtëzakonshme për medi...
Cilat janë të rejat më të fundit mbi bisedimet e paqes Ukrai...
Të arsimuarit po lënë Shqipërinë, emigrojnë 23%, rikthehen 3...
Rriten vdekjet në vendin e punës, 19 viktima nga fillimi i v...
KQZ miraton fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës