Kurti: Gjaku i derdhur për liri nuk mund të shlyhet, as krimet e Serbisë në Kosovë jo

12:09 | 2 Maj 2023
Emir Abduramani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën në fshatin Studime të Vushtrrisë më 2 maj të vitit 1999, masakër në të cilën u vranë 116 civilë shqiptarë, fëmijë e pleq.

Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti ka shkruar se gjaku që është derdhur për këtë liri nuk mund të shlyhet, e bashkë me të edhe krimet e Serbisë në Kosovë.

“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i tij:

“Në ditët e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.

Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.

Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.

E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”/Arbresh.info