Google ADS

Kurti flet pas takimit me Osmanin e Konjufcën: Presim të hiqen gjatë ditës nëntë barrikadat në veri

13:27 | 1 Gusht 2022
arbresh.info

Kryeministri, Albin Kurti, i ka bërë thirrje qytetarëve që të informohen vetëm nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, derisa ka edhe një kërkesë për mediet në Kosovë.

“Janë me dhjetëra shkelje të qarta të ligjit në veri me të cilat po merret policia e prokuroria. Nuk ka të plagosur me armë zjarri. Ju lutemi që të ndiqni me vëmendje informacionet zyrtare. Ju lutemi mediave mos i përhapni lajmet e mediave në Beograd, meqë bëhet fjalë për shtete autoritare pa liri të medies”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

“Pikat kufitare ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpien atje. Në të gjitha pikat tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitet 90 ditor”, ka thënë Kurti.

Ai ka përsëritur qëndrimin se në momentin që hiqen barrikadat dhe vendoset liria e lëvizjes shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë të 21 qershorit për datën 1 shtator.

“Janë gjithësej nëntë barrikada në veri të Ibrit, dhe presim gjatë ditës të hiqen që të gjitha”, deklaroi Kurti.

Këto komente ai i bëri në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, pas takimit që kishin me presidenten, Vjosa Osmani e kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme