Kurti: Daci dha shembull se si duhet zhvilluar beteja politike dhe Kuvendi në Kosovë

13:28 | 2 Janar 2026
Q L

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore për ish-kryetarin e Kuvendit Nexhat Dacin, e vlerësoi si të jashtëzakonshëm rolin e tij në ndërtimin e institucioneve dhe konsolidimin e demokracisë në Kosovë pas çlirimit.

Kurti e përshkroi Dacin si një figurë kyçe në zhvillimin e skenës politike dhe si një shembull të drejtimit të debatit parlamentar me maturi dhe qetësi.

“Në dekadën e parë të periudhës së çlirimit të Kosovës, Nexhat Daci kishte qenë deputet i zgjedhur i këtij Kuvendi si dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës dy herë, mes viteve 2000-2004 dhe 2004-2006. Në Kosovën që sapo ishte çliruar më 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik e vleror drejt demokracisë e mirëqeverisjes, dhe ku më së pari po ndryshonin rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci e pati për detyrë ta drejttonte diskutimin në Kuvendin e Kosovës nga pozita e kryetarit. Me maturi dhe qetësinë e tij, ai dha shembull se si duhet të zhvillohet kuvendi dhe si duhej zhvilluar beteja politike nga foltorja dhe ulëset e këtij Kuvendi”, tha ai.

Kurti foli edhe për rolin e tij si politikan dhe shkencëtar.

“Si politikan, Nexhat Daci ka ditur ta luajë rolin e një figure balancuese mes poleve dhe në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë, duke qenë e kundërta e polarizimit në skenën politike. Si shkencëtar i kimisë, doktor Nexhat Daci ka qenë origjinal dhe punëtor në studimet e tij, duke lënë pas një mori punimesh dhe veprash shkencore nga karriera e tij e gjatë si profesor në Universitetin e Prishtinës”.

“Me përmasat e tij si politikan dhe me profilin e tij si shkencëtar-profesor, Nexhat Daci do të jetë një zë me vete në faqet e historisë politike të shtetndërtimit të Kosovës dhe në historinë e arsimit dhe të shkencës në Kosovë,” tha ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale