Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkon nga Bashkimi Evropian(BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA), që të hapin një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit, që sipas tij, është mafia ballkanike dhe një nga organizatorët e sulmit terroristë të Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Kurti përmes një statusi në Facebook, shkruan se nëse ky grup do të shkatërrohej gjithë rajoni i Ballkanit do hapej për demokraci evropiane, raportin Arbresh.info.
“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkruan Kurti në Facebook.
Sipas tij, para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit.
Sipas shefit të Qeverisë së Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkruan Kurti./Arbresh.info/
LEXO EDHE
I kapen mbi 10 mijë euro një udhëtari në Aeroport, paratë i ...
Kurti të dielën tubim në Hajvali në shkollën “Shkëndija”
Kapet në Mal të Zi, 31-vjeçari i kërkuar nga drejtësia shqip...
ShBA pezullon lotarinë amerikane
BE shtyn marrëveshjen tregtare me Mercosur mes protestave të...
Sonte, nata e yjeve për basketbollin e Kosovës