Kurteshi prezanton kërkesat e shqiptarëve të Luginës: Jetesa e tyte është vështirësuar

11:59 | 1 Korrik 2019
M. A.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajt seancë të jashtëzakonshme lidhur me situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ismajl Kurteshi nga VV ka filluar këtë seancën me problemet që kanë paraqitur përfaqësuesit e këtyre vendeve.

Ai ka thënë se jetesa atje është keqësuar.

“Kushtet e jetës për shqiptarët e luginës janë keqësuar krahasor me 4 vite me parë”, tha ai.

Sipas tij, nëse institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë nuk i përkrahin shqiptarët në këto treva, atëherë ata do të ikin nga vendi i tyre.

“Gjatë vizitës së Komisionit për Arsim në Bujanoc e Medvegjë jemi informuar me sfidat që po përballen mbi 55 mijë qytetarë që po jetojnë në Luginën e Preshevës. Kushtet e jetës për shqiptarët e luginës janë përkeqësuar në krahasim me 4 vite më parë. Edukimi i mirëfilltë në Luginën e Preshevës po pengohet nga institucionet e Serbisë. Bibliotekat e shkollave janë shumë të varfra”, ka thënë ai.

Kurteshi ka treguar edhe për disa nga kërkesat që ka pasur këshilli kombëtarë për gjendjen e shqiptarëve.

“Në Këshillin kombëtar është kërkuar që të respektohet referendumi i vitit 2002, çështja e luginës të bëhet pjesë e pandashme e dialogut me Serbinë, të informohen Institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve, pasi që ajo paraqet pastrim etnik nga Serbia. Po ashtu është kërkuar pajisje me dokumente të shqiptarëve të luginës dhe është kërkuar rritja e kuotave për studentet në universitetet e Kosovës”, ka theksuar ai

Shpërndaje në rrjete sociale