Kursimi i energjisë para Bajramit, përplas KEK-un me KEDS-in

20:14 | 12 Korrik 2015
M. A.

KEK-u dhe KEDS-i kanë rënë ndesh me njëri-tjetrin.

Zyrtarë të KEDS-it përmes një komunikate i kanë bërë të ditura arsyet e ndërprerjes së përkohshme të prodhimit në njësinë “B1” në KEK, që do të bëhet nga dita e diel, raporton KTV.

“KEDS”-i po ashtu njofton se janë njoftuar nga KEK-u që kjo ndërprerje bëhet me qëllim të riparimit emergjent dhe se njësia pritet të kthehet në prodhim në ditën e mërkurë, më 15 korrik 2015.

Mirëpo, këto të dhëna i ka përgënjeshtruar Edmond Nulleshi, Drejtor ekzekutiv i shërbimeve në KEK.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, janë përfunduar procedurat e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike, me qëllim që kjo ndërprerje të mos ndikojë në furnizimin e rregullt me energji elektrike.

Kurse Nulleshi ka treguar se KEK-u po prodhon mjaftueshëm.

Mirëpo, zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, ka deklaruar se kohëve të fundit ka pasur prishje të paplanifikuara në KEK dhe se KEDS-i ka siguruar import të mjaftueshëm.

“Ashtu siç kemi njoftuar, njësitë në termocentrale, kohëve të fundit ishin subjekt i ndërprerjeve te paplanifikuara të prodhimit dhe edhe në momentin që po flasim, sipas bilancit vjetor energjetik, në Kosovë do të duhej të ishin aktive dy njësi në Kosova B dhe dy njësi në Kosova A në KEK, deri sa ende kemi një njësi joaktive, deri sa jemi paralajmëruar që njëra njësi në termocentralin Kosova B do t’i nënshtrohet riparimit emergjent. Kjo ka shtyrë që ne edhe gjatë këtyre ditëve të kemi import të energjisë elektrike për ta mbuluar kërkesën për konsum të qytetarëve”, ka thënë Shkodra.

KEDS-i ka apeluar te qytetarët që ta shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale dhe me përgjegjësi, pasi jemi në prag të festës së Bajramit, kur konsumi rritet jashtëzakonisht shumë.

Shpërndaje në rrjete sociale