Kur do të unifikohen çmimet e barnave?

09:14 | 26 Janar 2023
A Z

Medikamentin e njëjtë mund ta gjeni me çmime të ndryshëm në Kosovë, varësisht barnatores ku shkoni.

Penicilin, për shembull, në njërën nga barnatoret që një qytetarë ka dërguar fotografi, kushton 1.00 euro, ndërsa në një tjetër pranë saj shitet për 2.30 euro.

Çmimin e të gjitha produkteve tjera farmaceutike në Kosovë e caktojnë vetë barnatoret. Për unifikimin e tyre në treg aktualisht nuk ka ndonjë mekanizëm.

Por, siç duket ka ardhur fundi.

Nga Ministria e Shëndetësisë për “Arbresh.info” thonë se për vitin 2023, kjo ministri ka paraparë hartimin dhe miratimin e Projektligjit për çmimin e barnave, dhe është në përfundim e sipër.

Sipas MSH-së, është emëruar edhe komisioni për verifikimin e çmimit të barnave në treg, i cili është duke vazhduar punën.

“Në kuadër të Programit Legjislativ për vitin 2023, Ministria e Shëndetësisë ka paraparë hartimin dhe miratimin e Projektligjit për çmimin e barnave. Gjithashtu është emëruar edhe komisioni për verifikimin e çmimit të barnave në treg, i cili është duke vazhduar punën. Projektligji për çmimin e barnave, sipas kalendarit, është në përfundim e sipër të konsultimeve paraprake në Qeveri dhe pastaj do të publikohet në platformën online për konsultim me publikun edhe për 15 ditë të tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kosova paguan 10 milionë euro më shumë në vit

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se shkak mungesa e Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave, Kosova paguan 10 milion euro më shumë në vit sesa vendet e rajonit.

Sipas tij rregullimi i çmimit të barnave pritet të bëhet përmes krahasimit të barnave të cilat janë në shtetet referente.

“Për shkak të mungesës së Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave Kosova paguan shumë më shtrenjtë se rajoni për të njëjtat barna. Disa llogaritje janë rreth 10 milion euro në vit. Rregullimi i çmimit pritet të bëhet përmes krahasimit të barnave të cilat janë në shtetet referente me ç ‘rast eliminohet ndryshimi aq i madh i cili sot ekziston. Ka disa mekanizma të cilët parashihen në këtë rregullim por me rëndësi është që kjo sa më parë të aprovohet”, thotë Jakupi.

Ligji për Çmimin e Barnave nuk u votua nga VV

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu njëherësh dhe anëtarë i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, thotë se ky projektligj në komision nuk është votuar nga deputetët e LVV-së.

“Projektligji për rregullimin e Ligjit për Çmimin e Barnave i propozuar nga ne nuk është votuar nga LVV-ja”, tha Haxhiu.

Çmimi i lartë i barnave ndikon në ekonominë familjare

Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë tha se Kosova është ndër të paktat vende ku çmimi i barnave është i përcaktuar nga tregu, e jo nga ana e institucioneve, e sipas tij kjo ndikon edhe në ekonominë familjare.

“Kosova është ndër të paktat vende ku çmimi i barnave është i përcaktuar nga tregu, e jo nga ana e institucioneve. Kjo ka mundësuar që shumë pacient të blejnë barna me çmime të larta, të cilat ndikojnë në ekonominë e tyre familjare dhe i qojnë drejtë varfërimit. Kjo gjë duhet të rregullohet nga ana e institucioneve”, shprehet Kodra.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, për vitin 2023, ka ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, buxheti më i madh i bërë ndonjëherë.

Kujtojmë se ditë më parë në qytetin e Ferizajt janë gjetur medikamente të kontrabanduara në vlerë rreth 5000 euro. Në njoftim thuhet se në këtë lokacion është gjetur edhe një bunker posaçërisht i ndërtuar për fshehjen e mallrave të kontrabanduara./Vjollca Gajraku/ arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale