Kryeministrit i kërkohet t’i qëndrojnë besnik vendimit për taksën ndaj produkteve serbe

08:11 | 9 Nëntor 2018
M. A.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës prej 10 për qind për mallrat e importuara nga Serbia po shihet si një kundërpërgjigje e Kosovës ndaj lobimit të Serbisë për të stopuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për të zvogëluar numrin e njohjeve, shkruan arbresh.info.

Edhe pse një vendim i tillë ngjalli shumë reagime dhe u pa me skepticizëm nga  ekspertë të ekonomisë e politikës, ka edhe prej atyre që po e cilësojnë si pozitive dhe i kërkojnë kryeministrit, Ramush Haradinaj, t’i qëndrojë besnik këtij vendimi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e vlerëson si vendim të duhur sepse Serbia e ka dëmtuar shumë tregun kosovar.

“Taksa për produktet serbe është vendim i duhur, ne kemi nevojë të pozicionohemi dhe te shikojmë rëndësinë për orientim ekonomik, me pjesën që lidhen me ekonominë tonë por edhe me tregjet e reja. Serbia e ka dëmtuar shumë deri më tani tregun e Kosovës pasi ka mbi 400 milionë euro eksport në Kosovë”, tha Rukiqi për arbresh.info.

Po ashtu, edhe eksperti i ekonomisë, Musa Limani e vlerëson si vendim të drejtë. Por ajo çka e shqetëson Limanin është se sipas tij Bashkimi Evropian po përdor standarde të dyfishta.

“Kur ne kemi qenë edhe udhëheqës të CEFTAs- s, Serbia dhe Bosnja neve na kanë penguar me i fut mallrat tona në territorin e tyre dhe asnjëherë BE nuk ka reaguar. Pse tani po reagon? Ka standarde të dyfishta, për ata është ‘nënë’ për neve është ‘njerkë’. BE duhet me i thënë nëse doni me i shiku në mënyrë reale, duhet me shiku se si janë sjellë ata dhe si po vazhdojnë të sillen ndaj produkteve tona”, është shprehur Limani në një prononcim për arbresh.info.

Politikat tregtare varen nga raportet politike mes dy shteteve thotë Limani. Sipas tij nuk ka logjik që Serbia të vazhdoj të lobojë kundër Kosovës, dhe Kosova mos të marrë masa embargo politike.

“Politika e tregtisë së jashtme varet nga raportet politike që kanë dy vende mes vete. Është e palogjikshmë që Serbia në çdo cep të botës lobon që mos me u anëtarësu Kosova në institucionet ndërkombëtare dhe normalisht që Kosova mundet me marr masa që quhen embargo politike në këtë drejtim që me i thënë nëse nuk kemi raporte të mira politike, nuk mund të kemi as raporte të mira të tregtisë”, tha ai.

Në aspektin e rritjes së çmimeve, Limani e sheh si diçka pozitive sepse sipas tij do të vetëdijësohen konsumatorët.

“Shtesa e taksave e ngrit çmimin sepse çmimi  kushtues do të jetë më i lartë, mirëpo në këtë rast është bërë mirë për më vetëdijësu edhe konsumatorin tonë, sepse për këto mallra që është caktu kjo masë p.sh për qumështin për të gjitha këto konsumatori jonë mund t’i marr produktet vendore”, tha Limani.

Ky vendim u propozua nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në mbledhjen qeverisë dhe u miratua nga kabineti./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale