Google ADS

Kryeministri Mustafa, “plak grindavec” Sipas Gjinit

18:49 | 1 Mars 2015
Arbresh Info

Ardian Gjini, ish shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, të dielën është marrë me kryeministrin Isa Mustafa. Ka thënë se me qenë kryeministër e akademik dhe në të njëjtën kohë plak grindavec, nuk po i ka hije fare.

“Nënave që i kërkojnë trupat e djemve të tyre iu tha: edhe mua mu ka pas zhdukur gjyshi; ambasadorëve të BE iu tha mos na shikoni vetëm neve sepse edhe vendet tjera kanë probleme me migrimin. Për Jabllanoviqin tha: nuk ka thëne asgjë te tmerrshme; për fëmijët që po vuajnë e edhe po vdesin neper kampe të azilit po i fajëson prindërit e tyre; si kundërpërgjigje për varfërinë po thotë mos bëni shumë fëmijë; tani po thotë se dikush i paska fajet për kazinot!”, ka numëruar Gjini, në një postim të tij në Facebook.

Me shkronja të mëdha i ka bërë thirrje që t’i mbyll kazinotë.
“KRYEMINISTËR JE O NJERI, MBYLLI KAZINOTË E MOS U QJERR DUKE QARË. ALEANCA PO TË THËRRET QË T’I MBYLLËSH (nëse guxon prej partnerëve tuaj e prej njerëzve tuaj që i mbështesin e i frekuentojnë ato)”, ka thënë Gjini.

Gjini ka shprehur bindjen se kryeministri po relativizon gjithçka, dhe po e hedh fajin diku tjetër gjithmonë.
“Po bëhet grindavec sa herë që dikush po ia lëshon një fjalë. Mënyra se si po sillet kryeministri tregon se kultura e diktaturës është ngulitur në kokën e tij. ‘Si guxon dikush me u nguc me shefin’ po pyet vet me veti. Paramendojeni se si do të sillej sikur të kishte pushtet më shumë!? Shikojini videot e protestave, shumëzoni me dhjetë dhe e shihni”, ka thënë Gjini, teksa ka shtuar edhe një gjë.

“Sa për lexim, dëgjojeni se si i thur fjalitë nëpër konferenca, si i ngatërron kohët gjinitë e rasat dhe konkludoni vet se sa ka lexuar. Ky ose nuk ka lexuar fare ose leximi nuk ja ka lënë as një shenjë”.

Programin që Mustafa e prezantoi të mërkurën, Gjini e quan listë dëshirash e jo program qeverisës.
“Kryeministër, program qeverisës nuk ke fare. Ke listë të dëshirave. As ide se çka duhet bërë po duket nuk ke. Nuk po të ka hije me qenë grindavec, puno sa të mundesh e më vonë e shohim. E ke pushtetin dhe të gjitha mundësitë që të veprosh. Mos u bë grindavec e ngatërrestar i paaftë. Puno!”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme